BE-ja dhe SHBA-ja grinden për ombrellën e shpëtimit
17 Shtator 2011Ministri amerikan i financave Timothy Geithner mbeti të premten (16.09.2011) në Wroclaw kryesisht i padukshëm për shtypin ndërkombëtar. Geithner nuk kaloi përmes hyrjes kryesore dhe zyrtarisht nuk u tha asnjë fjalë reporterëve. Në sallë ai i inkurajoi ministrat e mbledhur të 17 shteteve të euros, që t'i jepnin fund llomotitjes për fundin e bashkimit monetar. Nga këndvështrimi i tij nevojiten më shumë përpjekje të evropianëve për të qetësuar tregjet financiare, dhe këto shpejt. Timothy Geithner është i pari ministër i financave amerikan, që ka marrë ndonjëherë pjesë në një takim të Euro-Grupit.
Ministri amerikan i financave propozoi me sa duket, që evropianët ta rrisin ndjeshëm vëllimin e fondit të tyre të shpëtimit, për të mbështetur në rast nevoje edhe Italinë e Spanjën. Ministri gjerman i financave Wolfgang Schäuble tha, se ishte diçka e mirë që Geithner-i kishte ardhur në Varshavë: "Duhet t'i zgjidhim problemet tona në të dyja anët e Atlantikut, për të vendosur më shumë stabilitet në tregjet financiare. Sepse kja është arsyeja kryesore, përse ne duhet të druajmë një dobësim në zhvillimin global. Pra, evropianët dhe amerikanët duhet të zgjidhin detyrat e tyre të shtëpisë, dhe këtë ne e bëjmë së bashku."
Disa ministra evropianë të financave nuk i pranuan këshillat direkte, se si duhet ta luftonin krizën e huave, në fund të fundit edhe SHBA-ja ka sipas tyre një problem të jashtëzakonshëm me huatë. Metoda amerikane, thjesht me shtypje parash duke pranuar kështu inflacionin, nuk është aq e lehtë për t'u zbatuar në BE, thanë diplomatë të BE-së. Në fund të fundit Banka Qendrore Evropiane nuk varet prej direktivave, shtuan ata. Ministrja austriake e financave Maria Fekter tregoi, se midis Geithner-it dhe Schäuble-s ka pasur një diskutim të ndezur në këtë çështje.
Debat i ndezur midis miqsh
Kryetari i Euro-Grupit, kryeministri luksemburgas Jean-Claude Juncker tha, se është e rëndësishme që vendimet e shumanshme të 21 korrikut për zgjerimin e sistemeve të shpëtimit të zbatohen shpejt. Asokohe kryetarët e qeverive të 17 vendeve të euros vendosën ndër të tjera zgjerimin e ombrellës së shpëtimit, së cilës iu vu edhe një herë vula në Wroclaw. Juncker tha, se kapaciteti i fondit të shpëtimit do të rritet në 440 miliardë euro. Veç kësaj, shtoi ai, fondi mund të blejë së shpejti në mënyrë parandaluese obligacione shtetërore të shteteve ngushtë nga gjendja. Propozimet e ministrit amerikan të financave Geithner, për të bërë më shumë dhe për t'i zgjeruar fondet e shpëtimit me marifete të teknikës financiare, Jean-Claude Juncker i kundërshtoi: "Diçka të tillë eurozona nuk e diskuton me dikë, që nuk është anëtar u eurozonës."
Disiplinë verbale
Kryeministri luksemburgas i bëri thirrje qeverisë gjermane, ta paraqesë qëndrimin e saj ndaj krizës së huave dhe një paaftësie pagese të mundshme me një zë të vetëm. Me sa duket Jucker-it i janë dukur penguese deklaratat e ndryshme të ministrit gjerman të ekonomisë Phillip Rösler, i cili e konsideron paaftësinë e Greqisë për të paguar të mundur. "Ne duhet t'i rikthehemi disiplinës verbale. Nuk lejohet edhe ta ashpërsojmë debatin", tha shefi i Euro-Grupit. "Ngula këmbë kundrejt kolegëve, që të jemi sa më të përmbajtur."
Edhe ministrja austriake e financave Fekter këshilloi, të mos spekulohet për falimentimin e Greqisë. Sipas saj, kjo i bën tregjet financiare edhe më të pasigurta. Falimentimi i Greqisë nuk shtrohet për diskutim, sepse do të kushtonte tej mase shumë, shtoi ajo. Tani duhet të zbatohen njëherë masat e miratuara për stabilizimin e eurozonës, vijoi ministrja. "Nuk dua, që një e dy e të tematizojmë të njëjtën gjë."
Ndihma për Greqinë shtyhet për në tetor
Ndryshe nga ç'ishte parashikuar, kësti tjetër prej tetë miliardë eurosh për Greqinë nga programi i shpëtimit i shteteve të euros u vendos të mos paguhet më herët sesa në mes të tetorit. Ministrat e financave e korrigjuan planin kohor, sepse revizorëve të BE-së, të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Qendrore Evropiane u duhet më shumë kohë për të gjykuar gjendjen financiare të Greqisë. Troika do ta paraqesë raportin e saj jo më herët se fillimi i tetorit. Ministri grek i financave Evangelos Venizelos premtoi në Wroclaw, se do të përmbushen të gjitha kushtet: "Ne lëshojmë sinjalin e qartë: Po i qëndrojmë kursit, po i zbatojmë masat. Vendimet e samitit të 21 korrikut janë udha e duhur jo vetëm për Greqinë, po për gjithë eurozonën."
Por, se ç'ndodh në rast se troika konstaton, që Greqia nuk duhet të marrë kredi të tjera, është e paqartë. Për këtë ministrat e financave nuk u shprehën. Ekspertët financiarë llogarisin me atë, që në një rast të tillë Greqia do të ishte menjëherë e paaftë për të paguar dhe duhet të kryhej një ristrukturim i huave. Për këtë po hartohen gjoja plane në ministritë e finacave të Euro-Grupit.
Autor: Bernd Riegert / Elert Ajazaj
Redaktoi: Aida Cama