BE deklaron ndihma financiare për Ukrainën
25 Shkurt 2014E Ngarkuara me politikën e Jashtme të BE, Catherine Ashton ka shkuar në Ukrainë, për të diskutuar me udhëheqjen e re për ndihmat e BE. Ajo ka me vete një paketë ndërkombëtare ndihmash, për ta ndihmuar Ukrainën "në plan afatshkurtër, në plan afatmesëm dhe në plan afatgjatë në vështirësitë e saj ekonomike", bëri të ditur një zëdhënës i Komisionit Evropian në Bruksel. Se çfarë mund të ofrojë ajo konkretisht dhe për cilat shuma bëhet fjala, kjo është ende e paqartë. Para nisjes, Lady Ashton u bëri thirrje të gjitha palëve, që ta respektojnë dëshirën e njerëzve në Ukrainë për demokraci dhe që të ruajnë unitetin dhe sovranitetin e vendit.
Komisari i BE për çështjet monetare dhe ekonomike, Olli Rehn, pati thënë në takimin e ministrave të financave të G-20-ës në Sidnej (23.02.2014) se tani bëhet fjalë për shuma miliardëshe, jo më për qindra milionë. Gjatë përmbysjeve politike në Ukrainë, BE theksoi se marrëveshja e Stabilizimit dhe Asociimit mes dy palëve ndodhet në tryezë, e gatshme për nënshkrim. Komisioni Evropian konfirmoi se varet vetëm nga Ukraina se kur dhe nëse do të nënshkruhet marrëveshja. Një datë ende nuk ekziston.
Paratë e BE duhet të burojnë - po për kë?
Kryetarja e Grupit Parlamentar të të Gjelbërve në Parlamentin Evropian, Rebecca Harms i tha Deutsche Welles në Kiev, se BE dhe SHBA duhet të hartojnë tani sa më shpejt një paketë ndihme. Pak para nisjes në Bruksel ajo tha se BE duhet ta mbështesë udhëheqjen e re në Kiev edhe për reforma në fushën e drejtësisë. Nuk duhet të ketë "drejtësi politike dhe hakmarrje" ndaj pushtetarëve të vjetër, tha ajo.
Ministri i Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier bëri të ditur se të enjten e ardhshme (27.02.2014) ai do të angazhohet personalisht te FMN që Ukraina të marrë kredi. Steinmeieri udhëton në Uashington për bisedime politike të planifikuara prej kohësh.
I ngarkuari i qeverisë gjermane për Evropën Lindore dhe Rusinë, Gernot Erler, u shpreh në emisionin e mëngjesit të ARD-së pro lidhjes së Rusisë në ndihmat për Ukrainën, pasi Rusia i ka paguar tashmë dy miliardë dollarë qeverisë së rrëzuar të Janukoviçit. "Unë do të propozoja që tani të përpiqemi të nisim bisedime me Rusinë, sepse Rusia ka interes që në Ukrainë të mos ketë rrëmujë dhe që vendi të stabilizohet sërish." Erleri tërhoqi vëmendjen që Ukrainës i duhet tani një qeveri e aftë për veprim. "Deri tani problemi është që natyrisht duhet folur për kushte, po me kë? Ne ende nuk kemi një qeveri tranzitore, por duhet të jetë edhe një qeveri e aftë për veprim. Sepse askush nuk ka dëshirë të japë para falas."
Ministri i Financave të Ukrainës, që e kryen detyrën përkohësisht, Juri Kolobov propozoi në Kiev një konferencë donatorësh për Ukrainën. Ai tha se vendi i tij ka nevojë për 25 miliardë euro. Agjencitë ndërkombëtare të klasifikimit të riskut e shohin Ukrainën në prag të humbjes së aftësisë për pagesë. Vendin e kërcënon falimentimi.