BE bën plane për shpëtimin e euros
5 Qershor 2012Gazeta Welt am Sonntag pati bërë fjalë për një plan të fshehtë për Evropën. Sipas saj për të po punojnë në prapaskenë presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian Herman Van Rompuy, presidenti i Komisionit Evropian José Manuel Barroso, shefi i Eurogrupit Jean-Claude Juncker dhe presidenti i Bankës Qendrore Evropian (ECB) Mario Draghi. Mirëpo plani i përfaqësuesve udhëheqës të Bashkimit Evropian nuk është aq i fshehtë. Fakt është që në samitin e jashtëzakonshëm të BE-së më 23 maj këta të katër u ngarkuan me detyrën, që deri në samitin e rregullt të radhës në fund të muajit të shqyrtonin mundësitë për një zgjidhje afatgjatë të krizës. Që atëherë ajo është acaruar edhe më shumë: Problemi kryesor nuk duket të jetë më çështja, nëse Greqia mbetet në bashkimin monetar, por nëse Spanja do të jetë në gjendje të shpëtojë bankat e saj në falimentim e sipër. Kush donte, mund të dëgjonte disa propozime nga takimi i udhëheqësve të BE-së javën e kaluar. Me sa duket duke e pasur fjalën për Spanjën, Barroso bëri fjalë për shembull për idenë e një "bashkimi bankar me mbikqyrje financiare të njësuar dhe me sigurim depozitash të përbashkët."
Franca është për ndihma bankare të drejtpërdrejta
Se çfarë do të thotë saktësisht kjo, këtë Barroso e la të hapur. Kjo u bë më e qartë këtë të hënë (04.06.). Komisari i BE-së për monedhën Olli Rehn la të kuptohet gjatë një bisede me ministrin e ri të Financave të Francës Pierre Moscovici, se është e rëndësishme të mendohet për një "rikapitalizim të bankave". Fjala ishte për atë, që fondet e shpëtimit të euros EFSF dhe ESM të ndihmojnë bankat, që nuk po i mbajnë më këmbët, për shembull ato spanjolle. Me siguri, këto fjalë e kanë shqetësuar Berlinin.
Kancelare e kujdesshme
Mirëpo gjatë takimit midis kancelares gjermane Angela Merkel dhe Barrosos të hënën në mbrëmje mikpritësja la të nënkuptohej njëfarë gatishmërie për afrimin e qëndrimeve. Ajo tha se me Barroson "do të flasë për atë, se ne çfarë mase na duhet t'i vendosim bankat sistemike nën mbikëqyrjen specifike evropiane". Por ajo theksoi se këto janë mendime në spektrin afatgjatë. Fjalën bashkim bankar ajo e shmangu.