210709 Modell Bauhaus
22 Korrik 2009Nëntëdhjetë vjet pas krijimit të shkollës më të shquar avantgardiste gjermane në fushën e arkitekturës dhe të dizajnit tri institucionet gjermane, që ruajnë trashëgiminë e Bauhaus-it, e nderojnë këtë datë me një ekspozitë, më e madhja e ngritur për Bauhaus-in deri tani. Ekspozitën jubilare në Berlin e organizuan arkivi i Bauhaus-it në Berlin, fondacioni Bauhaus Dessau, fondacioni Klassik i Vajmarit, ruajtësi i trashëgimisë së Bauhaus-it në qytetin e tij të origjinës. Me afro 1000 objekte ajo prezanton orientimin dhe zhvillimin e kësaj shkolle, stacionet e saj të ndryshme që nga Vajmari, tek Dessau deri në stacionin e shkurtër në Berlin dhe tregon ndikimin e saj ndaj artit modern.
Bauhaus, shkolla e njohur e arkitekturës dhe e dizajnit ka ekzistuar vetëm 14 vjet – prej vitit 1919 deri 1933. Por idealet e saj të unifikimit të artit dhe të konfigurimit kanë ndikim në botë deri sot, popullariteti i produkteve ka mbetur po ai.
Llampadarët, kolltuku i ndërtuar me tuba prej çeliku, apo konstruksionet e ulëta kubike dokumentojnë se si Bauhaus u bë pikë orientimi për breza të tërë arkitektësh dhe dezinjatorësh.
As stil dhe as koncept unik
Annemarie Jaeggi, drejtoreshë e arkivit të Bauhaus-it në Berlin, thotë se Bauhaus-in nuk e karakterizon as një stil dhe as një koncept unik: "Ka qenë një shkollë, e cila vazhdimisht ka ndryshuar dhe ka marrë një orientim të ri. Bauhaus-i nuk kishte qëllim vetëm të bashkëpunonte me industrinë. Kjo është një pikë e rëndësishme, që ka qenë vendimtare për kohën në Dessau, por ekziston edhe një Bauhaus më i hershëm. Aty prodhoheshin vepra arti, vepra të veçanta me forcë të madhe shprehëse. Ne duam të tregojmë edhe këto diskrepanca. Modernia është shumë më vezulluese, më shumëngjyrëshe, nga ç' mësojmë në librat shkollorë. Këtë duam të tregojmë."
Në sallë ndesh në karrigën afrikane me shumë ngjyra dhe të mbështjellë me tekstil, si krijues të së cilës nuk do të supozoje dot Marcel Breuer-in, projektuesin e mobiljeve të para me tuba prej çeliku. Janë pikërisht veprat enigmatike, jo shumë të njohura, thotë Klaus Weber nga arkivi i Bauhausit në Berlin, që dëshmojnë shumëllojshmërinë e eksperimentit Bauhaus: "Ne ekspozojmë vepra të çuditshme si "shtëpia e vdekjes së gruas' nga Lothar Schreyer, i cili në atelienë e tij në Bauhaus-in e Vajmar-it kishte dy arkivolë: një 'shtëpi të vdekurish të burrit' për vete dhe një "shtëpi të vdekurish për femra" për të shoqen. Ata nuk ekzistojnë më, sepse në ta janë varrosur prindërit e Schreyer-it. Dëshmia e vetme, që kemi akoma, është një projekt me madhësinë e origjinalit për kapakun e "shtëpisë së vdekjes për gruan" shumë e çuditishme dhe hermetike, e parë shumë rrallë deri tani."
Avantgardë në arkitekturë
Kuadratura dhe seria në dizenjo dhe arkitekturë janë përcaktuese për vitet në Desau, ku Bauhaus kaloi në vitin 1925. Këtu ngrihet ndërtesa e parë e shkollës – një ikonë e arkitekturës. "Eshtë një konstruksion i reduktuar në minimum, që punon me një taracë pa mbështetje, të gjitha ndërtime me konstruksione të lehta, që të kujtojnë shumë atë, që provohet të bëhet edhe sot në këtë drejtim," - thotë Klaus Weber.
Kapitulli i fundit i shkurtër në Berlin nën drejtorin e tretë të Bauhausit Mies van der Rohe dhe dimensioni politik i shkollës së artit përfshin edhe një fotomontazh profetik të vitit 1932: Ivao Yamavaki, njëri nga tre nxënësit japonezë të shkollës së Bauhausit, tematizon sulmin e nacional-socialitëve kundër Bauhaus-it, duke montuar në një kolazh fotografish me njerëz duke marshuar në uniforma naziste, projektuesit e Bauhaus-it duke protestuar dhe një detaj nga Bauhaus-i në Dessau.
Të tre organizatorët dhe administruesit e trashëgimisë së Bauhaus-it nga Vajmari, Dessau dhe Berlini e ndërlidhin ekspozitën edhe me kritikën për përdorimin e konceptit "Bauhaus" si markë.
Annemarie Jaeggi, drejtore e arkivit të Bauhasit në Berlin, thotë: "Konzepti 'Bauhaus' përdoret shumë pa kujdes, ai është kthyer në një etiketë, të cilën e ngjit mbi gjithçka, që duket disi moderne, apo që e përdor për t'i dhënë vetes një imazh avantgardist. Por fundja edhe ekspozita jubilare mbështetet tek popullariteti i këtij koncepti, vetëm se ajo tregon se sa i shumëanshëm dhe jodogmatik ka qenë ai në të vertetë."
Ekspozita në Berlin është e hapur nga 22 korrik deri më 4 tetor 2009.
Autor: Sigrid Hoff/Ina Verbica
Redaktor: Dr. Pandeli Pani