Bastisje kundër kontrabandës së organizuar të njerëzve
31 Maj 2021Policia federale ndërmori veprime kundër kontrabandistëve të organizuar të njerëzve në disa qytete. Rreth 700 efektivë të policisë kontrolluan 33 objekte në të njëjtën kohë mëngjesin e sotëm - në Berlin, Hamburg, Renani-Veriore-Vestfali, Saksoni-Anhalt, Saksoni dhe në kryeqytetin sllovak Bratislavë. Fokusi i misionit ishte në Berlin. Sipas policisë federale, një nga dy të dyshuarit kryesorë u arrestua atje, një shtetase vietnameze.
Një grua tjetër u ndalua në Bratislavë. Dyshohet se ato kanë kontrabanduar vietnamezë në Gjermani përmes apartamenteve konspirative në Sllovaki dhe kanë kërkuar deri në 21.000 euro për këtë. Sipas hetuesve, të prekurit janë detyruar t'i paguajnë borxhet duke punuar.
"Meqenëse njerëzit nuk mund t'i mblidhnin këto para menjëherë, janë detyruar të punojnë për pagat e kontrabandistëve," tha një zëdhënës. "Veçanërisht grave u është dashur të punojnë në sallone thonjsh, studio masazhi dhe "apartamente bordelle të mobiluara posaçërisht".
Bëhen kërkime në restorante dhe apartamente
Sipas zëdhënësit, Inspektorati Federal i Policisë për luftën kundër krimit në Halle u ngarkua nga Prokuroria e Përgjithshme e Berlinit dhe Prokuroria e Leipzigut. Ky aksion është pjesë e hetimeve të Europolit, autoriteti policor i Bashkimit Evropian.
Kërkimet në Berlin, Hamburg, Renani-Veriore-Vestfali, Saksoni-Anhalt dhe Saksoni si dhe në Sllovaki filluan në orën 6:00 të mëngjesit. U siguruan prova të shumta materiale, tha zëdhënësi. "Mbi të gjitha medie memorizimi, dokumente, regjistra dhe lidhje bankare."
Policia federale gjeti rreth 50 persona në apartamente. "Tani duhet të sqarojmë nëse këta njerëz kanë hyrë në Gjermani apo janë kontrabanduar pa leje. Apo janë edhe ata përkrahës të kontrabandës çnjerëzore dhe trafikut të njerëzve."
aud (rnd,br,dpa)