Banka Qendrore Evropiane rrit interesin e referencës në zonën e euros
2 Dhjetor 2005
Premierë për Presidentin e Bankës Qendrore Evropiane
Zhan-Klod Trishe, presidenti i Bankës Qendrore Evropiane është i bindur për atë që thotë dhe i përmbahet asaj. Më 18 nëntor komuniteti financiar u përgatit për rritjen e interesit të referencës dhe gati dy javë më vonë kjo u vu në jetë. Qysh në fillim të konferencës së shtypit në Frankfurt u tha edhe fjalia kyçe: "Kemi vendosur rritjen e interesit të referencës në kuotën 2,25%. Ky është zhvillim historik pas dy vjet e gjysmë të nivelit më të ulët të interesit të referencës."
Për Trishe kjo ishte një premierë, sepse është rritja e parë e interesit pas ardhjes së tij në post dhe ai e prezantoi me kompetencë vendimin e tij. Në zonën e euros interesi i referencës nga 2% do të arrijë kuotën 2,25%. Kostot e rifinancimit të bankave janë duke u rritur, dhe këto kosto në rritje institucionet kredituese do t´ua kalojnë klientëve të tyre, sipërmarrësve dhe konsumatorëve. Ndaj barra do t´u bjerë atyre që do të hyjnë në borxh afatshkurtër. Në prag të vendimit ka pasur kritika lidhur me rritjen e interesave si nga politikanët ashtu edhe nga sindikatat. Por Banka Qendrore Evropiane nuk u tërhoq: "Vendimi ynë justifikohet me përshtatjen e politikës sonë monetare ndaj rreziqeve dhe stabilitetit të çmimeve që kemi përcaktuar. Ne do të kontribuojmë për ruajtjen e kuotës afatgjatë dhe afatmesme të inflacionit në zonën e euros në një nivel të përshtatshëm me stabilitetin e çmimeve."
Efekti i rritjes së interesit ndjehet pas një viti
Rritja marramendëse e çmimeve të naftës këtë vit e ka shtuar rrezikun e inflacionit. Kuota e rritjes ka pasur efekt dominoje, ndonëse ende nuk është arritur në spiralen frikendjellëse të pagave dhe çmimeve, Banka Qendrore Evropiane donte t´i paraprinte rrezikut në kohën e duhur. Rritja e interesit e jep efektin pas një viti, ndërkohë që Trishe nuk sheh ndonjë rrezik për zonën e euros: "Produkti bruto në vend në zonën e euros për vitin 2005 po rritet me 1,2%, në vitin 2006 do të kemi 1,6% rritje dhe në vitin 2007 rreth 1,4 deri në 2,4%."
Çështja thelbësore është, se si do të ecet më tej? Zhan-Klod Trishe që përpara mbledhjes për rritjen e interesit bëri të qartë, se prej kësaj nuk do të ketë automatikisht një fazë të rritjes së interesave. Ndryshe nga Banka Emetuese Amerikane, që e ka rritur interesin e referencës në 12 etapa duke e çuar në nivelin e 4%, Trishe thekson sërish qëndimin e tij: "Ne nuk duam të lejojmë një seri të rritjes së interesave, ne do të vazhdojmë vëzhgimet tona lidhur me rreziqet për stabilitetin e çmimeve."
E pra është planifikuar një rritje e moderuar, ekonomistët qysh në filim kanë spekulluar fort dhe shumica e tyre mendojnë, se një hap i mëtejshëm do të ndërmerret në pranverë, në rast se ekonomia do të vazhdojë të japë sinjale pozitive. Ndërsa vjeshtën e ardhshme mund ndërmerret hapi tjetër i rritjes së interesave në kuotën 2,75%.