Banesa si luks
2 Nëntor 2012Katër milionë banesa sociale mungojnë aktualisht në Gjermani. Këtë shifër e ka publikuar në verë të këtij viti Instituti Pestel. Kryetari i institutit, Matthias Günther beson se situata do të përkeqësohet në vitet e ardhshme.
Sipas vlerësimit të ekonomistit të diplomuar, vështirësia për të gjetur banesa është kthyer në vështirësi jo vetëm për qytetet e mëdha. "Ne kemi edhe qytete relativisht të vogla me universitete të mëdha, si Tübingeni ose Göttingeni, të cilët ndodhen pjesërisht në një ambjent rural dhe megjithatë kanë ndërkohë probleme të konsiderueshme në tregun e banesave," thotë Günther.
Të rinjtë janë shpërngulur gjithmonë në qytete për të studiuar. "Ajo që mungon ndërkohë është një barazpeshë, pikërisht që familje të shpërngulen edhe në zonat rurale ose në periferi të qyteteve të mëdha", deklaron ai.
Kësaj i shtohet emigrimi nga bota e jashtme. Në vitin 2011, një vit i suksesshëm ekonomik në Gjermani, në bazë të Zyrës Federale të Statistikave në Gjermani erdhën 279.000 vetë më shumë se u larguan. Dhe aty ku ka kërkesa të mëdha, rritet çmimi. Ky është parimi i ekonomisë së tregut.
Banesat sociale nuk janë sa duhet të leverdisshme për investuesit
Sepse qiradhënësit duan të fitojnë para, si shumica e njerëzve, thotë Drejtori i Shoqatës Gjermane të Qirave, Lukas Siebenkotten. Pakësimin e vazhdueshëm të banesave sociale ai e argumenton midis të tjerave me faktin, se thuajse nuk ndërtohen fare të reja. Njëkohësisht, shumë banesa janë shkëputur nga e ashtuquajtura "lidhje".
Me këtë lidhje kupton marrëveshje të caktuara, të cilat përcaktojnë se për sa kohë duhet të jepet me qira një banesë e tillë. Marrëveshje të reja shumë pronarë nuk duan të lidhin, meqenëse qiratë që marrin thjesht nuk janë të leverdisshme për ta.
Në këtë situatë Günther mendon se shtrohen detyra përpara landeve dhe komunave. Janë landet ato që kanë përgjegjësinë për ndërtimin e banesave sociale. Vitet e shkuara landet kanë krijuar edhe programe për nxitjen e ndërtimit të banesave sociale, por sipas mendimit të tij jo me sukses të madh.
"Programet qenë organizuar në mënyrë kaq jointeresante, sa askush nuk pati dëshirë që të investonte në këtë sektor", tha ai. Me sa duket nuk është arritur që të bëhet atraktive për investorët ndërtimi i banesave sociale - për shembull duke dhënë kredi me interesa të ulëta bankare.
Ekspertët e varfërisë druhen për "shpërbërjen e qyteteve"
Aty ku nuk ka banesa sociale, shumë njerëz jetojnë pa çati mbi kokë. Vetëm pak kohë më parë, Ndihma Sociale Evangjelike e llogariti në 250.000 vetë numrin e njerëzve pa çati mbi kokë. Eksperti këlnas për problematikën e varfërisë, Christoph Butterwege madje druhet që në plan afatgjatë qytetet mund të shpërbëhen - në lagje luksoze për të pasurit dhe në zona ku jetojnë njerëz në vështirësi sociale e në nevojë.