Ashpërsim i cenzurës së internetit - Kina nis fushatën kundër pornografisë në internet
7 Janar 2009Duhet vepruar sa më parë, për ta pastruar internetin, thotë një zëdhënës i qeverisë në Pekin. Pornografia dhe përmbajtjet perverse nuk përputhen me pikëpamjet morale të shoqërisë kineze dhe ndikojnë negativisht në opinionin publik. Kaq përmbante teksti zyrtar. Cenzuruesit kinezë të internetit duan t´i japin fund imoralitetit në internet.
Një muaj do të zgjasë fushata e re. Ajo nuk do të ketë efekt të madh, mendon gazetarja Li Datong, kritike e qeverisë: „Fushata të tilla ka patur shumë shpesh në vitet e fundit. Dhe ata kanë qenë të padobi. Problemi është, se si e përkufizon pornografinë. Në Kinë për këtë nuk kemi përkufizim legal, biles as për filmat. Ndoshta për një farë kohe do të zhduken disa gjëra nga rrjeti, por pastaj kthehen prapë. Fushata të tilla janë të kota.“
Lista e zezë e internetit kinez
Por qeveria bën presion. Një listë e zezë me 19 faqe interneti është publikuar. Në të gjenden edhe emra të mëdhenj si „Google“ apo „Baidu“, makinat më të mëdha kërkuese të internetit në Kinë. Ata akuzohen, që në rezultatet e kërkimit tregojnë gjithnjë linke të faqeve pornografike dhe injorojnë paralajmërimet e cenzurës. Kompanitë operatore do të dënohen biles faqet e tyre mund të mbyllen fare, n.q.se nuk e ndryshojnë qëndrimin, thonë autoritetet. „Google“ e Kinës kundërshton. Ajo thotë se tregon vetëm linket. Kjo nuk do të thotë, se do të shpërndajë informacione të pavend.
Për pornografinë në internetin kinez deri tani kishte më pak kontroll se sa për përmbajtjet e padëshërueshme politike. Me këtë fushatë qeveria do të tregojë, se vazhdon të këtë kontrollin mbi internetin.
Kryeministri Zhiabao (Wen Jiabao): “Qeveria kineze parashikon, që çdo qytetar të ketë të drejtë dhe lirinë, që të shfrytëzojë internetin. Në të njëjtën kohë të gjithë qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm për respektimin e rregullave dhe ligjeve, për të mbrojtur interesat kombëtare. Faqet e internetit duhet të transmetojnë informacione korrekte dhe jo t'i ç'orientojnë njerëzit, të kenë ndikim të keq dhe të rrënojnë kështu rendin shoqëror."
Ofensiva e re e censurës tregon edhe, që udhëheqja shtetërore është e irrituar. Nga kriza ekonomike miliona punëtore humbasin ndërkohë vendet e punës, shumë të diplomuar nuk gjejnë aspak vend pune. Frika nga trazirat sociale po shtohet në vend. Përveç kësaj ky vit sjell disa përvjetore delikatë, në rradhë të parë masakrën e Tiananmen-it para 20 vjetësh.
Censura pajiset me aparatura të reja
Në Kinë ka ndërkohë afro 300 milionë përdorues interneti. Ata janë adaptuar me censurën, dhe kanë mësuar t´i pështaten asaj. Pikërisht të rinjtë nuk duan më t´u tregosh se çfarë duhet të shohin dhe çfarë jo. Një përdorues 24-vjeçar interneti: „Në shoqërinë e sotme duhet të garantohet liria e fjalës. Secili ka një mendim tjetër. Këtë duhet ta shprehnim. Kush e di sa çfarë është në rregull dhe se çfarë është gabim. Mua më duket, se ka shumë kufizime në Kinë.“ Por censuruesit armatosen me tej, siç njofton Financial Times. Ata po pajisen me një software të ri filtrues. Kështu ata mund të zbulojnë që më parë përmbajtjet e padëshërueshme.