Anri Sala në Berlin
5 Shtator 2005Nga dritarja e hapur e një apartamenti dëgjohen tingujt e një saksofoni. Dhoma është e errët. Mbi prevaz duket koka e muzikantit, flokët e stilit xhamajkan, të zbukuruar me një kurorë lulesh. Dritarja – i vetmi burim drite për apartamentin e zbrazët, por edhe për dhomën ku shfaqet filmi. Është një videoinstalim 13 minutash i artistit shqiptar Anri Sala, njërit nga katër të nominuarve për "Çmimin për Artin e Ri" të Galerisë Kombëtare në Berlin.
"Ideja themeltare është të ftoja një muzikant që bën free xhaz, duke qenë në një kondicion pak ekstrem, që është të luash saksofon, i varur në katin e 18 të, rreth 60 metra sipër, e duke qenë në boshllëk," – thotë 31 vjeçari për Dojçe Velen.
Sala dhe tre artistë të tjerë (Angela Bulloch, Kanada, Monica Bonvicini, Itali dhe John Bock, Gjermani) janë përzgjedhur nga gjithsej 136 konkurruesit, që të paraqesin nga një punim në një ekspozitë e haupr nga data 2.09. – 16.10. në muzeun e artit bashkëkohor "Hamburger Bahnhof" në Berlin.
"Juria e pavarur i ka vlerësuar këta artistë si më interesantë në tregun aktual të veprave të artit," – tha kryetari i Fondacionit të Miqve të Galerisë Kombëtare, Peter Raue, të premten me rastin e hapjes së ekspozitës. Kushti kryesor është që artistët të kenë lidhje me Berlinin.
Projekti për ekspozimin e katër veprave ka kushtuar 400.000, por synimi i këtij aktiviteti të rrallë që zhvillohet për herë të tretë, çdo dy vjet është "që publiku të bëhet kurioz, ndaj asaj që ndodh çdo ditë në qindra galeritë e këtij qyteti," – thotë Peter Raue.
Kryeqyteti gjerman ka vite që është kthyer në qendër të artit bashkëkohor. Anri Sala ka vendosur tashmë pas nëntë vjetësh banimi në Paris, që ta spostojë pak më në lindje vendbanimin. "Është një qytet shumë interesant, sepse papritur iu desh të bashkojë dy realitete që vinin nga dy histori të ndryshme, gjë që ndihet edhe pas 16 vjetësh," – thotë Sala për programin tonë.
Një nga frymëzimet e para që i ka dërguar kryeqyteti i dyzuar i Gjermanisë, është pikërisht vendi i xhirimit të videos: Lagjja e ndërtuar në vitet 60/të në Berlinin Perëndimor Maerkishes Viertel, nje kompleks parafabrikatesh, në buzë të murit. "Psherëtima e gjatë" me këtë emër e kanë pagëzuar banorët pallatin prej gjithsej 700 metrash i gjatë, i arkitektit francez Rene Gages që strehon 977 familje.
Pikërisht në katin e 18-të të tij, Anri Sala ka vendosur saksofonistin të varur në ajër.
"Për mua përkon me dy momente: Se si mund të negociohet me këtë boshllëk: Është momenti direkt, se si mund të luajë muzikë në këtë moment frike, por edhe se si mund ta mbushim jetën, unë nëpërmjet asaj që bëj, ndërsa ai nëpërmjet saksofonit."
Pamjet e videos që ka të njëjtin emër si ndërtesa (Psherëtima e gjatë) duken sikur mbi to të kishte kaluar peneli. Sala që ka studjuar pikturë në Tiranë, e më pas videoart në Paris, nuk e mohon ndikimin e pavetëdijshëm që ka shkaktuar piktura në përgjithësi në veprën e tij.
Çmimi që kap shumën 50.000 Euro është një nga më të lartët për artin bashkëkohor në Gjermani. Fituesi do të shpallet më datën 27 shtator në një ceremoni, ku do të jetë e pranishme edhe ministrja gjermane e kulturës, Kristina Vajs. Një nga katër kandidatët e çmimit të parë të akorduar në vitin 2000, ka qenë artisti islandez, Olafur Eliason, ish-antar i komisionit të tenderit për qendrën e Tiranës, i cili gjithashtu banon në Berlin.