Angela plus Mario - shpresë e re për Europën?
5 Korrik 2012Vetëm pak ditë pas samitit të Bashkimit Europian në Bruksel, kancelarja gjermane, Angela Merkel takohet me kryeministrin e Italisë, Mario Monti të Mërkurën. Në Villa Madama në Romë zhvillohen konsultimet gjermano-italiane, ku merr pjesë edhe ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble, ministri i Ekonomisë, Philipp Rösler dhe ai i Jashtëm Guido Westerwelle. Që nga epoka postberluskoniane, dhe ardhja në pushtet e një qeverie të re nën kryeministrin Monti, të dyja qeveritë përpiqen për më shumë afrim.
Para takimit në Romë, ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle refuzoi qartë kolektivizimin e borxheve në Europë edhe në plan afatgjatë. "Ky nuk është qëllimi i Gjermanisë, as si qëllim i largët." tha ministri i Jashtëm gjerman për gazetën turineze "La Stampa". Ky kolektivizim i borxheve do të ishte një "gabim parimor i konstruktit, i cili rrezikon idenë europiane." Lidhur me çështjen nëse samiti i Bashkimit Europian kontribuoi në ndryshimin e balancave në Europë, ai u shpreh se "vetëm së bashku ne europianët do t'ia dalim të kalojmë krizën e borxheve."Kemi nevojë për partnerë solidë dhe të fortë që me reformat e tyre çojnë përpara për zgjidhjen e krizës. Italia për ne në këtë pikë qëndron në vijë të parë."
Në median italiane kanë qarkulluar zëra nëse Gjermania e sheh vetën si humbëse të samitit të shkuar, pasi Mario Monti arriti të marrë përkrahje për interesat e veta duke mënjanuar Merkelin. "E gjithë Europa fiton po qe se e zgjidhim krizën përfundimisht dhe me qëndrueshmëri" i është përgjigjur këtyre zërave, ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle.
Angela plus Mario - duet që ndihmon zgjidhjen e krizës
Tema kryesore e bisedimeve gjermano-italiane në Romë sigurisht është kriza e borxheve dhe problemet specifike të Italisë. Në këtë pikë diskutimet përqëndrohen në çështje konkrete si: çfarë mund të bëjnë firmat gjermane për të luftuar papunësinë e lartë të të rinjve në Itali, apo si mund të vijnë më shumë italianë të papunë si punëtorë të kualifikuar në Gjermani.
Kryeministri italian, Mario Monti në një intervistë me gazetën e njohur gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung" të Mërkurën ka thënë se ai ndjek një linjë me Merkelin. "Angela plus Mario do të thotë një hap përpara në drejtim të një politike ekonomike europiane", tha Merkel. Monti ka theksuar të përbashkëtat në politikën e kursimeve dhe të rritjes ekonomike mes Gjermanisë dhe Italisë. Vetë Italia tha ai synon të kontribuojë për më shumë rritje ekonomike dhe stabilitet financiar në Europë. Monti u përpoq të heqë dyshimet se ka mosmarrëveshje të thella mes tij dhe Merkelit. Të dy vendet ndjekin një politikë të përafërt fiskale dhe rritjeje ekonomike.