Angela Merkel për vizitë tek binjakët polakë Kazhinski
16 Mars 2007Angela Merkel është mjaft e interesuar që gjatë presidencës gjermane të BE-së të mbyllë me sukses disa prej temave evropiane. Me të ashtuquajturën deklaratë të Berlinit ajo synon që takimi jubilar i BE-së të jetë një pikë kthese, ajo do të rigjallërojë dialogun për kushtetutën evropiane dhe procesin për riformulimin e marrëveshjes së partneritetit dhe kooperimit mes BE-së dhe Rusisë.
Për t'i arritur të gjitha këto ajo duhet të bëjë për vete edhe dy vëllezërit binjakë Kazhinski që kryesojnë Poloninë: presidentin Lech dhe kryeministrin Jaroslav.
Para disa kohës ata deklaruan se kushtetuta e BE-së ka vdekur dhe kanë bllokuar edhe bisedimet me Rusinë, sepse Moska bllokoi importimin e mishit prej Polonisë. Këtyre problemeve u shtohen edhe disa probleme bilaterale gjermano-polake.
Por me gjithë këto probleme vizita e kancelares nuk mund të thuhet se s'ka asnjë lloj shprese. Warshava ka disa kohë që ka filluar ta quajë sërish si projekt të riparueshëm kushtetutën evropiane. Polonia vazhdon të këmbëngulë që në kushtetutën evropiane të përfshihet patjetër edhe besimi i krishterë, por edhe po nuk u bë kjo polakët mund të vazhdojnë të jetojnë me besimin e tyre. Në radhët e qeverisë polake po forcohet bindja se Evropa ka nevojë për një kushtetutë, në rast se do që mekanizimi i saj të funksionojë pa shumë fërkime.
Edhe diferencat në lidhje me stacionimin e sistemit amerikan të mbrojtjes prej raketave duket se janë mënjanuar, sepse Polonia nuk ka gjë kundër që kontrrollin mbi to ta ketë drejtpërdrejt Nato-ja.
E vështirë duket çështja e problemeve të marrëdhënieve me Rusinë në lidhje me çështjen e mishit.
Varshava shpreson se në këtë mes mund t'i vijnë në ndihmë aftësitë ndërmjetësuese të deplomatëve gjermanë dhe të kancelares Merkel.
Kryetari i komisionit për politikën e jashtme në parlamentin polak Pavel Zalevski u bëri thirrje vendeve të BE-së dhe Gjermanisë si presidente e radhës, që të ushtrojnë më tepër presion ndaj Rusisë:"Ose do të kemi brenda BE-së një politikë të jashtme të përbashkët dhe në këtë rast vendet e tjera duhet të solidarizohen me Poloninë, sepse trajtohet padrejtësisht prej një partneri të BE-së, pra në këtë rast të Rusisë. Ose nuk do të ketë një politikë të jashtme të përbashkët, sepse është e vështirë të përfytyrohet një politikë që drejtohet kundër një anëtari të BE-së."
Një problem tjetër sipas pikëmjes polake është ndërtimi i një naftë dhe gazsjellësi nga Shën Peterburgu për në Greifswald në Gjermani, duke e anashkaluar Poloninë. Polonia e ka kuptuar dimensionin evropian të këtij projekti, por nuk po gjen formulën e nevojshme për ta paranuar atë duke ruajtur fytyrën dhe duke pasur edhe siguri për furnizimet me energji.
Në këtë mes kancelarja gjermane premton se do të ndihmojë:"Unë do të bëj të qartë se Polonia do të ketë solidaritetin tonë në çështjet e furnizimit me energji. Polonia është e shqetësuar se të tjerët mund të nënshkruajnë marrëveshje më të mira për furnizimin me energji. Por brenda BE-së kemi parimin e solidaritetit dhe edhe me Poloninë besoj se do të arrijmë një marrëveshje në këtë çështje të raporteve bilaterale, dhe për këtë mund të flasim hapur."
Në çështjet bilaterale bëjnë pjesë problemi i gjermanëve të dëbuar prej territorit polak pas Luftës së II Botërore.
22 prej tyre i janë drejtuar Gjykatës së Strasburgut duke u ankuar se prej dëbimeve apo evakuimeve të detyruara kanë humbur pasuritë. Në rast se gjykata vendos në favor të tyre, atëhere kjo do të sillte me vete pretendime per rikthimin e pronave. Qeveria gjermane mendon se këto padi nuk do të kenë sukses, por qeveria polake ka frikë se mund të duhet të paguajë dëmshpërblime.
Problem tjetër është ai i ngritjes në Berlin të një qendre për të dëbuarit, ku do të paraqitet edhe fati i të dëbuarve gjermanë nga territoret polake. Por me sa duket Polonia e ka problemin në këtë mes me kryetaren e Lidhjes së të Dëbuarve, Erika Steinbach, dhe për sa kohë ajo të jetë në këtë post, nuk duket se Angela Merkel do të arrijë ndonjë gjë në këtë çështje.