Angazhim pa interesa - Kancelarja Merkel përfundon vizitën në Afrikë
8 Tetor 2007Politika e jashtme ka nevojë për simbole në rast se do të ndikojë edhe në politikën e brendshme dhe për këtë motivet për fotografitë që përcillnin në media vizitën e kancelares ishin përzgjedhur si duhet: një grup fëmijësh afrikanë në Etiopi, si përfaqësues të mjerimit, në luftë kundër të cilit është e angazhuar edhe Gjermania me ndihmat e saj, një shtërngim emocional duarsh me Nelson Mandelën dhe takime me përfaqësues të ekonomisë afrikano-jugore si partnere e fortë ekonomike e Gjermanisë. Në fund takimi me presidenten liberiane, Ellen Johnson-Sirleaf, e cila synon ta çlirojë Liberinë prej barrës së luftës civile.
Por politika e jashtme nuk përbëhet vetëm prej fotografive
Shumë më e rëndësishme se udhëtimi i parë i kancelares në Afrikë, edhe pse jo kaq i pranishëm në medie, është angazhimi gjerman për kontinentin afrikan. Gjatë periudhës si presidente e radhës i G8 qeveria gjermane po angazhohet për Afrikën dhe ka iniciuar edhe takimin e nivelit të lartë mes Afrikës dhe BE-së, i pari takim i përbashkët që prej shtatë vjetësh.
Çdo vend ka specifikat e veta
Problemi në politikën evropiane ndaj Afrikës qëndron në faktin se politikanët evropianë janë gjithmonë në kërkim të një strategjie gjithëpërfshirëse për Afrikën, e cila do t'u përshtatej të gjitha vendeve të kontinentit. Por një çelës për një strategji të tillë nuk mund të gjendet, sepse çdo vend ka specifikat e veta dhe për të arritur paqe, stabilitet dhe zhvillim në të gjitha vendet e Afrikës, secili prej tyre duhet trajtuar më vete.
Evropa duhet të jetë e hapur për dallimet e shumta mes vendeve afrikane dhe të reagojë me një zë. Po në këtë drejtim ka mungesa, çdo politikan ndjek interesat e veta të ndara sipas zonave të dikurshme koloniale. Në këtë drejtim kancelarja gjermane po punon që politika ndaj Afrikës të jetë një element më i rëndësishëm dhe i përbashkët i politikës së BE-së. Në këtë drejtim Gjermania e ka më thjeshtë se vendet e tjera, sepse ajo në Afrika ka më pak interesa se sa ndonjë shtet tjetër evropian.