Ambasadori shqiptar largohet nga Berlini
17 Korrik 2008"Një pjesë shumë e rëndësishme e sendeve, të cilat unë gjithmonë i marr me vete ku jam, është një koleksion suveniresh që kam formuar hap pas hapi. Është nga pjesët më të dashura të asaj që unë kam", thotë Gazmend Turdiu në një bisedë me Deutsche Wellen. Ndër këto suvenire është edhe një fotografi: Ish presidenti gjerman, Johannes Rau në rezidencën e tij "Schloss Bellvue", në të djathë të tij është ambasadori i ri, të dy të veshur me frak dhe kravatë, siç e kërkon protokolli. Është 12 mars 2003, dita e akreditimit të Turdiut si ambasador në Berlin. Në shikimin e drejtë dhe të qeshur të asokohe 43-vjeçarit Turdiu ndjehet krenaria e natyrshme që të jep misioni për t'i shërbyer vendit të vet në një nga qendrat më me ndikim në Evropë.
Shqipëria sapo kishte filluar negociatat në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) me BE-në, ndërsa Kosova kishte dalë nga agjendat kryesore të diplomacisë ndërkombëtare. Që atëherë kanë kaluar mbi pesë vjet dhe Turdiu, pak më i thinjur, ka pasur se ç't'i raportonte qendrës: "Është nënshkruar Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe pritet të ratifikohet së shpejti nga gjermanët. Ndërkohë kemi marrë ftesën për t'u anëtarësuar në NATO dhe së shpejti parlamenti gjerman do të ratifikojë protokollin e anëtarësimit. Dosja tjetër shumë e rëndësishme ka qenë Kosova, procesi i përcaktimit të statusit përfundimtar. Kënaqësia ime gjatë trajtimit të këtyre dosjeve ka qenë sepse kam parë një mbështetje shumë dashamirëse, shumë të hapur, shumë pozitive nga ana e palës gjermane dhe mbasi ke mbaruar një takim dhe mbasi ke marrë një mesazh është kënaqësi të ulesh në kompjuter e ta shkruash dhe t'ia dërgosh qendrës", kujton Turdiu.
Por, ajo çka i ka dhënë më shumë kënaqësi, siç thotë Turdiu, kanë qenë aktivitetet kulturore që ambasada i ka organizuar gjatë këtyre viteve në qytete të ndryshme të Gjermanisë: Berlin, Bonn, Frankfurt, Gelsenkirchen, Hamburg etj. Jemi përpjekur të paraqesim atë pasuri tonën, kulturën, të cilën normalisht nuk e gjen në faqet e shtypit të përditshëm. Ndërkohë që në pjesën më të madhe të programit të bashkëpunimit ne jemi të pozicionuar kryesisht në rolin e përfituesit, në fushën e kulturës ndodh e kundërta, ne këtu jemi partnerë të barabartë. Prezantimi sa më i dinjitoz i kulturës sonë mendoj që është një kontribut shumë i dobishëm në aspektin e afrimit të perceptimit për Shqipërinë dhe shqiptarët me realitetin. Sepse të gjithë e dimë që perceptimi nuk i ndjek në kohë reale ndryshimet në vend", thotë Turdiu pasi mendohet një hop.
Është pikërisht kjo frazë, që të kujton edhe prejardhjen e tij nga shkencat e sakta. Karrierës diplomatike i hyri mbas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike në vitin 1992, e cila emëroi fillimisht si ambasador në Zvicër, ku gjithashtu shërbeu deri në vitin 1997. Gjermania ishte misioni i dytë diplomatik jashtë shtetit. Me rigorozitetin e inxhinierit tek zbaton ligjet e fizikës ai kujdeset t'u përmbahet rregullave të vëna. As dy muaj pas fillimit të punës në Berlin ai vendosi rregullin e transfertave bankare për të gjitha pagesat që hynin në ambasadë. Në kompjuter janë të listuar emrat e të gjithë personave, të cilëve Turdiu ua ka kthyer personalisht paratë e dërguara me zarf. Dikush dërgonte edhe më shumë se ç'ishte detyrimi për shërbesën konsullore. Ambasada e Berlinit ishte e para që e vuri këtë rregull.
Prandaj edhe ai nuk është i shqetësuar aspak, tani që Inspektorati i Larte i Deklarimit te Pasurive ka vendosur të shikojë pasurinë: "Nuk kam asnjë ndjenjë të veçantë. I kam deklaruar që në fillim në rregull të ardhurat e mia. Këtë vit më ra shorti që të më kontrollojnë më thellësisht. Le të më kontrollojnë", thotë ai dhe qesh. Nisur dhe nga pagat relativisht modeste të ambasadorëve shqiptarë nuk pritet që pasuria e tij të ketë pësuar ndonjë rritje të madhe përveç atij koleksioni suveniresh, që patjetër është rritur. Kujtimi i fundit i këtij koleksioni ishte një ariu i porcelanit (simbol i Berlinit) që ia dhuroi të hënën, më 14 korrik 2008, ministri i shtetit për çështje të jashtme Gernot Erler gjatë drekës së lamtumirës që ai dha personalisht për nder të tij.