Ambasada gjermane në Tiranë - aktive për "Botërorin 2006"
1 Qershor 2006Futbolli ka miq pa kufij. Megjithëse Botërori 2006 pritet të zhvillohet pas pak ditëve në stadiumet gjermane, ndjekja e aktivitetit 1 mujor do të bëhet nga afër 1 miliard shikues në mbarë globin, të cilët do të perjetojnë emocionet e një gare të jashtëzakonshme, klasin e futbollit bashkëkohor, ngjyrat e larmishme të taktikave të lojës nga vende të ndryshme, si edhe pamje magjepëse brenda dhe jashtë fushës së blertë.
Kampionati i Boteror i Futbollit pritet me padurim dhe nga sportdashësit shqiptarë, të cilët kanë preferenca të ndryshme për ekipin e zemrës, atë ekip që ata e dëshirojnë të jetë fitues i këtij edicioni. Ka nga ata që mbështesin përfaqësuesen gjermane, italiane a holandeze, por dhe braziliane, britanike a ndonjë ekip tjetër pretendent për Botërorin 2006.
Në prag të fillimit të Kampionatit Botëror, si dhe gjatë zhvillimit të tij Ambasada Gjermane në Tiranë ka planifikuar disa veprimtari sportive dhe argëtuese për të krijuar atmosferë dhe për të tërhequr sa më shumë fansa në këtë eveniment të rëndësishëm ndërkombëtar.
Në bashkëpunim me Federaten Shqiptare të Futbollit, ambasada do të zhvillojë një kampionat special me afër 700 futbollistë deri në moshën 18 vjeç, në katër qytete të Shqipërisë. Përfaqësuesi i Federatës Shqiptare të Futbollit, Lysjen Nurishmi, thotë për DW se "turneu do të ketë 4 stacione, në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Elbasan. Aktiviteti do të nisë në Durrës dhe kupat për moshat deri në 15, 16 dhe 18 vjec do të jepen Tiranë, në 17 qershor, në një momënt kur Kampionati do të jetë në fazën interesante të tij.
Prej javësh ambasada gjermane në Tiranë në website-n e saj ka shpallur një quiz nga futbolli, për zgjidhësit e saktë të të cilit do te jepen në ditën e hapjes së Kampionatit bluza të kombëtares gjermane, origjinale dhe të nënshkruara nga futbollistët që do të lujnë në këtë Botëror.
Mjaft dashamirës të futbollit kanë klikuar gjatë këtyre javëve në faqen online të ambasadës duke dhënë përgjigjet e tyre, në pritje tashmë të fitores së një çmimi, që organizatorët vërtet e cilësojnë që "nuk mund të blihet me para".
Në ditën e hapjes së Botërorit "Gjermani 2006" në një nga sheshet kryesore të Tiranës, përballë Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, ambasada do të ka planifikuar të organizojë një megashou për qytetarët e Tiranës dhe rretheve të tjera, me pjesmarrjen e emrave të njohur të artit shqiptar.
Gjithashtu për mediat elektronike dhe ato të shkruara shqiptare të interesuara ambasada gjermane ka ofruar dhe do të ofroje gjatë ditëve të zhvillimit të kampionatit dhe mjaft materiale informative dhe ilustruese për atmosferën brenda dhe jashtë stadiumeve gjermane në Botërorin 2006.