Alkooli shqiptar prezantohet në "Javën e gjelbërt" në Berlin
22 Janar 2007Po të mos e njohësh Shqipërinë, dhe kalon afër tendës shqiptare të panairit "Java e gjelbërt" të krijohet përshtypja se ky vend nuk prodhon gjë tjetër veç alkoolit, pra pijeve alkoolike. Sepse në stendën e saj në panair Shqipëria ofron vetëm alkool, në formë rakije pa ngjyrë, rakije me ngjyrë, vere dhe birre.
Brunhilda Stamo punon në ministrinë e bujqësisë në drejtorinë e politikave të prodhimit. Ajo është një nga organizatorët: “Shqipëria është paraqitur kësaj rradhe me stendën e produkteve shqiptare. Janë paraqitur dy kompani, “Birra Stela”, një birrë shqiptare dhe “Aqua la liquori”, me rakinë dhe me verën. Vera "Kallmet" është një produkt tipik shqiptar, që bëhet nga rrush autokton shqiptar. Edhe rakia po ashtu. Ajo është ofruar me dy varietete, një muskat dhe një tjetër më e vjetër, ajo rakija me ngjyrë.”
Firmat Stela dhe Aqua la liquori kanë qenë firmat e vetme shqiptare që i janë përgjigjur thirrjes të shoqatave të agrobiznesit për të marrë pjesë në “Javën e gjelbërt” në Berlin. Me sa duket në biznesin shqiptar nuk funskionon ende siç duhet teknologjia e marketingut dhe informacionit.
“Këtu mund të kishim prodhues të vajit ullirit, përpunues të peshkut, prodhues të perimet të thata dhe të përpunuara, të bimëve medicinale,” hotë Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana.
Aleksandra Etzold, ka asistuar në kuadër të GTZ-së (Shoqatës gjermane për bashkëpunim teknik” disa nga prezantimet e Shqipërisë në vite. Ajo kujton se andej nga mesi i viteve nëntëdhjetë Shqipëria kishte sjellë bimë medicinale. “Ato ishin futur të gjitha në qeska. Vizitorët i preknin bimët me dorë dhe ato prisheshin. Kështu që ne morrën kavanozë, u ngjitëm letra me mbishkrime në gjuhën gjermane dhe angleze…” Kjo ka ndodhur rreth dhjetë vjet më parë.
Sot, sigurisht që prezantimi është më i mirë së atëherë, por edhe më mirë se vitin e kaluar ku Shqipëria nuk morri pjësë fare në “Javën e Gjelbërt”. Brunhilda Stamo shpreson që vitin tjetër “të ketë më shumë kompani gjë që mund të arrihet duke shtuar fondet e shtetit por edhe kontributin e kompanive private.“
Bujqësia shqiptare nuk është bërë ende pjesë e tregut, as e atij të brendshëm e as e atij të jashtëm. Bilanci import ekport vazhdon të jetë 1 me 10 në favor të importeve.
Ministri Gjana: "Ajo çka unë jam përpjekjur në këtë vit ka qenë ta bëjmë bujqesinë shqiptare pjesë të tregut të brendshëm dhe të bëjmë ekonominë bujqësore, fermerët shqiptare, pjesë të ekonomisë së tregut. Orientimi i bujqësisë është drejt prodhmit të perimeve kryesisht në ambiente të mbrojtura, prodhimit në frutikulturë, në vreshtari kryesisht verëra, dhe në blegtori.”