Acarim i atmosferës politike në Tiranë
19 Tetor 2007Partia e vogël, Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, BPDNJ, e njohur për pragmatizëm politik në kalimet e saj herë djathtas dhe herë majtas, në varësi se cila prej tyre është në qeverisje, del kundër ngritjes së komisionit parlamentar për të hetuar Prokurorin e Republikës, Sollaku.
Kryetari i kësaj partie Vangjel Dule, e cilësoi nismën e demokratëve, që kryesojnë koalicionin qeverisës, ku merr pjesë edhe forca e tij politike, një instrument politik dhe për më tepër që ka dëshmuar dështimin e tij. Ai tha se “këto lloj komisionesh janë kthyer në vegla të politikave partiake ku secila nga dy forcat kryesore, PD apo PS, i përdor për interesat e saj të vogla partiake.“
Dihet që komisionet hetimore parlamentare janë një histori e dështuar në Shqipëri. Shembulli më i freskët vjen nga viti i kaluar kur e njëjta maxhorancë dështoi të shkarkonte të njëjtin Prokuror Republike, Sollakun, dhe që tani kërkon të ngrejë komisionin Nr.2 kundër tij, në kushtet e reja kur presidenti aktual Bamir Topi, ndryshe nga Moisiu, nëse arrihen votat në Parlament, do ta dekretoje shkarkimin e Sollakut.
Por dalja kundër e një partie të djathtë ngre pikëpyetje nëse maxhoranca arrin të ketë pro 2/3 e Parlamentit ose nëse ajo ia del mbanë të përdorë me sukses forcën e saj të kartonave në një Parlament ku opozita ose është kundër ose bojkoton seancën.
Kreu i PBDNJ-s, Dulja, propozon një rrugë tjetër për të vetët: konsensusin me opozitën për reformën në drejtësi dhe më pas rimarrjen e çështjes, Sollaku.
Vështirë se kjo mirëpritet nga qeveria dhe maxhoranca e djathte.
Kur ajo kërkon ta shkarkojë sa më parë, Prokurorin e Republikës, ai i kërkon Parlamentit t'ia heqë imunitetin Lulzim Bashës, Ministrit të Jashtëm për t´i hapur rrugën ndjekjes së tij penale si abuzues me detyrën kur ishte Ministër i Transporteve dhe firmues i tenderit ndërkombëtar të rrugës Durrës- Kukës, Morinë, që po hetohet.
Heqjen dorë nga komisioni Nr.2 kundër Sollakut, e venë si kusht parësor socialistet, që kryesojnë opozitën në Shqipëri, në këmbim të konsensusit të tyre për të kryer reformën në drejtësi. Por edhe opozita nuk paraqitet e unifikuar në qëndrimin e saj ndaj ngritjes së komisionit hetimor në fjalë.
Levizja Socialiste për Integrim, LSI, është e gatshme të marrë pjesë nëse komisioni ngrihet. Argumenti i saj është: më mirë se bojkoti preferon pjesëmarrjen edhe pse komisionin edhe ajo e sheh si antikushtetrues.
Përpjekjet për shkarkimin e Prokurorit të Republikes, kur organi qendror i akuzës po zhvillon hetime kundër zyrtarëve të lartë të koalicionit të djathtë qeverises ka acaruar se tepërmi atmosferën politike në Tiranë. Por ndërkohë partitë e vogla, majtas apo djathtas përpiqen të fitojnë kredite në skakirën e politikës së ditës, me qëndrimet ndryshe nga forca që drejton koalicionet ku ato bëjnë pjesë.