A mund të shpëtohet mbuloja e centralit bërthamor Çernobil?
12 Korrik 2025Rusia i ka shtuarsulmet kundër Ukrainës në mënyrë masive, po në shkurt lajmi nga vendi i shkatërruar nga lufta tronditi të gjithë Evropën. Një dron kamikaz rus, prodhim iranian kishte rënë në Çernobil. Më saktësisht në bllokun 4 të reaktorit të centralit bërthamor të çaktivizuar. Kjo rizgjoi kujtimet e errëta të vitit 1986, kur në atë reaktor ndodhi aksidenti më i rëndë bërthamor në historinë e njerëzimit.
Dëmtime të rënda
Droni dëmtoi guaskën mbrojtëse që kishte mbrojtur reaktorin që nga viti 2019 dhe kishte për qëllim të parandalonte daljen e radioaktivitetit. Ky lajm u harrua shpejt sepse ekspertët nuk mundën të matnin ndonjë rritje të radioaktivitetit në reaktor. Megjithatë, ndikimi i dronit pati pasoja të rënda. Droni depërtoi murin e jashtëm prej çeliku të rrethimit mbrojtës, i njohur në zhargonin teknik si "Mbyllja e Re e Sigurt"-"New Safe Confinement". Rreth nëntë metra më poshtë është edhe një mur i brendshëm - pjesë të dronit gjithashtu e depërtuan atë. Megjithatë, hapësira midis dy mureve luajti një rol vendimtar në konceptin e sigurisë.
Ekspertët vendas mendojnë se mbulesa mbrojtëse, ndërtimi i së cilës kushtoi mbi dy miliardë euro, ndoshta nuk do të funksionojë dot më siç ishte planifikuar. Riparimi i plotë ka gjasa të kryhet, tha për portalin gjerman, tagesschau.de Artem Siryj, menaxher i operacioneve në mbulesën mbrojtëse, por sigurimi i burimeve financiare ndoshta nuk do të jetë i mundur.
Ndërkohë specialistë nga Ukraina dhe ndërkombëtarë kanë zhvilluar një koncept për mbylljen e vrimave dhe të paktën mbylljen hermetike të murit të brendshëm, tha Siryj. Kjo do të sigurojë mbrojtje të mirë. Siryj shpreson që punimet të fillojnë këtë vit. Mbulesa aktuale mbrojtëse u financua nga një fond i kontribuar nga vendet donatore dhe nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Zyrtarët në Ukrainë shpresojnë për mbështetje të mëtejshme nga BERZH.
la/tgsch