Suprizat e mbrëmjes së çmimeve Oskar në Hollivud
25 Shkurt 2013Aktori gjermano-austriak Christoph Waltz është fitues i çmimit Oskar për rolin më të mirë dytësor si doktor King Schultz në filmin Neowestern "Django Unchained" të regjisorit Quentin Tarantino. Ky është Oskari i dytë për aktorin austriak, ndërkohë që në Austri shkoi edhe një Oskar tjetër i Akademisë amerikane të Filmit: regjisori Michael Haneke u vlerësua me Oskar për filmin më të mirë në gjuhë të huaj me filmin e tij "Dashuria".
Në ceremoninë e 85-të të ndarjes së çmimit Oskar në Los Anxhelos, filmi "Argo", me regji të Ben Affleck u cilësua si filmi i më i mirë i vitit, ndërsa çmimet për aktorin dhe aktoren më të mirë i fituan Daniel Day-Lewis për rolin e tij në filmin historik "Lincoln" dhe Jennifer Lawrence për rolin e saj në komedinë romantike "Në kohë të mira dhe të këqija."
Befasia e mbrëmjes
Askush nuk priste në Los Anxhelos që para ndarjes së çmimit të fundit për filmin më të mirë në ekranin e madh të inkuadrohej nga zonja e parë e shtetit, Michele Obama, përmes një transetimi live nga Shtëpia e Bardhë. "Ndihem e nderuar që mund të prezantoj nominimet e këtij viti për filimin më të mirë", tha gruaja e presidentit Barack Obama. Ajo pastaj hapi zarfin me emrin e filmit "Argo", i cili u cilësua si filmi më i mirë i vitit.
Çmimin për regjinë më të mirë e fitoi Ang Li për filmin "Jeta e Pi-së". Ky film u vlerësua me katër Oskar krahas regjisë edhe në kategorinë kamera, muzikë dhe efekte vizuale.
Quentin Tarantino u nderua me një Oskar për skenarin më të mirë origjinal, ndërsa Anne Hathaway fitoi çmimin për rolin më të mirë dytësor në "Të mjerët". Filmi vizatimor i Disney-t "Paperman" fitoi në kategorinë për filmin më të mirë të animuar të shkurtër. Jacqueline Duran fitoi një Oskar për kostumografinë më të mirë në filim "Ana Karenina".
Përzgjedhja e fituesve bëhet nga rreth 5 mijë e 800 profesionistë të industrisë filmike, anëtarë të Akademisë amerikane të Arteve, Filmit dhe Shkencave. Ceremonia sivjet u drejtua nga Seth MekFarlane.