240811 Renaissance Austellung Berlin
29 Gusht 2011Stefan Weppelmann hedh vështrimin me dëshirë tek e tashmja. Tani në fushatën aktuale zgjedhore në Berlin, mund të shohësh në posterat elektorale se sa i fuqishëm është kulti i portretit. Dhe që secila parti i bën reklamë vetes me portretet e kandidatëve të tyre. Asgjë tjetër nuk kanë bërë de Medici-t para rreth 600 vjetësh, të cilët kanë përhapur fytyrën e familjes së tyre në Firence, për të bërë të qartë përtej kufijve, se përcakton tonin në qytet.
Italia artdashëse
Weppelmann: "Çdo vepër arti e Rilindjes së hershme duhet të jetë shkas për adhurim. Ose për të artistin, mjeshtëria artistike e të cilit admirohet veçanërisht, ose për të portretuarin, që admirohet për veprat e tij. Ose vetëm për mjeshtërinë, që mundëson një kënaqësi të veçantë estetike. "
Stefan Weppelmann është kurator i pikturës italiane dhe spanjolle nga mesjeta e vonë dhe fillimi i Renesansës dhe është përgjegjës për ekspozitën e madhe "Fytyrat e Rilindjes", në muzetë shtetërorë të Berlinit, që prezantohet deri me 20 nëntor në muzeun Bode. Rreth 150 kryevepra arti të portretit në Italinë e shekullit të 15-të mund kundrohen të gjitha për herë të parë nën një çati - vepra të artistëve të tillë të shquar si Giovanni Bellini, Domenico Ghirlandaio, Sandro Botticelli dhe Leonardo da Vinci, që kanë ndikuar fuqishëm në një nga epokat më të shkëlqyera të kulturës evropiane.
Arti dhe pushteti
"Portreti është një fenomen që shfaqet krejt papritur. Aty nga viti 1440, dhe në mënyrë shumë të çrregullt. Me sa duket, konfrontimi me individin lindi që në portretin fetar, ku edhe figura të donatorëve gjunjëzohen në planin e parë në pikturë, pra ato që kanë paguar për pikturën dhe që pastaj u pikturuan vetë si adhurues të Zotit. Dhe nga këto kontekste zhvillohet pastaj dëshira, që të përjetësohen përmes një portreti, ku paraqitet vetëm ai", thotë Weppelmann.
Ndryshimi i traditës
„Renaissance", e përkthyer me "Rilindja" ose "fillimi i ri", kjo periudhë u quajt më vonë. Asaj i atribuohen deri sot lindja e individualizmit, ndërgjegjësimi për personalitetin dhe një art, që i përkushtohej bukurisë dhe përsosmërisë, si dhe imitimit të natyrës. Kjo solli në pikturë jo vetëm perspektivën e ndërtuar në mënyrë gjeometrike, por çoi edhe në ringjalljen e pikturës së porterit, të sipërpërmendur. Që nga antikiteti i vonë, kjo gjini nuk kishte luajtur më rol, por tani tregtarët, princat, bankierët, klerikët e lartë, studiuesit dhe artistët përjetësoheshin përmes portretit.
Weppelmann: "Ndryshe nga portretet e sotme, që ne i bëjmë sot me ngut vetes dhe miqve tanë me kameran tonë digjitale, në fillimet e Rilindjes, që dikush të ishte i denjë për t'iu bërë portreti, ky ishte një përjashtim absolut. Dhe ai ose e ka merituar këtë protret përmes veprave të tija, ose portreti i është bërë me një rast të veçantë, si për shembull në rast martese."
Individualiteti dhe përgjithësimi
Gratë e reja, për të cilët kërkohej ende një dhëndër i pėrshtatshëm, stilizoheshin në portrete si zonja të reja fiske, të virtytshme dhe të pastra, të pajisura me një prikë të madhe, dhe me origjinë të nderuar. Ata mbanin veshur rroba të shtrenjta dhe me bukurinë e tyre me siguri do të kishin stolisur çdo shtëpi. Të porsamartuarat pikturoheshin me tërë shkëlqimin e pajës së tyre. Kushdo mund të kuptonte pastaj, se sa e rëndësishme ishte lidhja e dy familjeve. Dhe ndonjëherë emblema e re e familjes vendosej menjëherë në portret.
Stefan Weppelman: "Thuhej se femrat e reja duhet të duken të virtytshme, prandaj lëkura e tyre paraqitet më e bardhë se ç'është. Flokët të bërë bjondë, edhe pse ndoshta flokët kanë qenë bjondë të errët, ajo ka flokë bjondë shumë të çelët. Sepse në pamjen e bardhë të lëkurës dhe në flokët e çelëta tregohet bukuria e shpirtit, kjo ishte teoria e Rilindjes. Në muzeun Bode prezantohen 150 vepra të mëdha të kohës, të gjitha kryevepra, më e famshmja e të cilave është pa dyshim piktura e Leonardo da Vincit, "Dama me qen".
Veprat janë huazuar nga më shumë se 50 muze, ndër ta Galeria Uffizi në Firence, Louvre në Paris dhe Galeria Kombëtare e Londrës. Në Berlin, shumëllojshmëria e artit italian të portretit të shekullit të 15-të është e mundur të admirohet deri me datën 20 nëntor, nga data 19 dhjetor deri më 18 mars ekspozita do të jetë e hapur në Muzeun Metropolitan në Nju Jork.
Autor: Silke Bartlick / Angjelina Verbica
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora